Në Tiranë mbahet samiti i tretë i diasporës shqiptare
Në Tiranë po mbahet samiti për diasporën dhe sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kjo ngjarje është një mundësi për të gjithë shqiptarët që të shkruajnë “një faqe të re” me bashkëpunim e objektiva të përbashkët.
“Ky takim dyditor është një mundësi që të komunikojmë bashkë për të shkruar një tjetër faqe të re për shqiptarët. Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë, pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, përtej të gjitha përkatësive krahinore dhe vendndodhjes së secilit, si shqiptarë që kanë diçka për të thënë, për të dhënë për mënyrën se si do u qasemi sfidave të botës ku jetojmë”, tha Rama.
Samiti i tretë i Diasporës mblodhi në Tiranë përfaqësues të institucioneve, politikës dhe shoqërisë civile nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe nga disa vende të botës.
Duke folur për shqiptarë të suksesshëm në mbarë botën si Mira Murati, Dua Lipa, Ermonela Jaho, Rita Ora, Igli Tare, Lorik Cana e të tjerë, kryeministri Rama tha se nga suksesi i tyre vjen një mësim për të gjithë shqiptarët.
“Mësimi është se asnjë ëndërr sado e madhe, kur njerëzit e shohin me sy hapur, nuk është e paarritshme, por varet sa janë të gatshëm ta synojnë ta arrijnë dhe të paguani të gjithë kostot e asaj përpjekjeje. Si sot shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë më parë peshën e tyre, jo vetëm për të marrë vendimet aty kudo që janë, dhe si kurrë me parë, faktet nuk kanë folur dhe flasin sot në mënyrë inkurajuese për të ushqyer besimin sepse kemi shumë për të bërë, për të ngjitur në majë, ku do shkruhet fjala jonë në historinë e botës”, theksoi ai.
Rama gjatë fjalës së tij në samitin e tretë të diasporës, më 22 nëntor, që njihet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ditë që është festë kombëtare në Maqedoninë e Veriut, të njihet si e tillë edhe në Shqipëri, si dhe sugjeroi ta bëjë edhe Kosova.
Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i bëri thirrje politikës të garantojë votën e emigrantëve si një e drejtë kushtetuese.
“Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë të drejtën për të votuar, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses. Kjo do të kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë, duhet të këtë përfaqësim politik që do i japë zë shqiptarëve jashtë vendit. Ne u jemi borxhlinj për kontributin e madh që ju jepni”, tha presidenti Begaj.
Kosova u përfaqësua nga presidentja, Vjosa Osmani. Në agjendën e publikuar një ditë më parë, ishte paraparë të merrte pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, dhe të mbante një fjalim, por në samit u vu re mungesa e tij, ndërsa nuk pati ndonjë reagim nga ministria e Jashtme e Shqipërisë që organizoi samitin.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se shqiptarët në Luginën e Preshevës – tri komuna në jug të Serbisë – jo vetëm përballen me diskriminim e vazhdueshëm, por edhe me “spastrim etnik”.
“Vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë akoma përballen me diskriminim dhe spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Iu themi se nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi bashkë vëllezër dhe motra të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, tha Osmani.
Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kërkoi që shqiptarët në rajon të jenë të unifikuar, pasi duhen sheshuar problemet mes vetes për të siguruar bashkëpunimin që kërkohet për projekte të përbashkëta.
Ndërkaq kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, duke iu drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, tha se ai duhet ta ngrejë edhe më shumë zërin as i përket aspiratës për integrim në BE.
Ky është samiti i tretë i diasporës që organizohet nga Qeveria Rama. Samite të ngjashme janë mbajtur më 2016 dhe 2019.
Në samitin e fundit, përveç liderëve politikë nga trevat shqiptare kanë marrë pjesë edhe mbi 2 mijë shqiptarë nga vende te ndryshme të botës. Synimi i këtyre takimeve është shkëmbimi i ideve, nismave dhe vizioneve që do të mundësojnë forma konkrete të bashkëpunimit mes vendit amë dhe diasporës.
Në takimin e së enjtes, u zhvilluan gjashtë panele diskutimi për çështje të ndryshme si: bashkëpunimi në politikën e jashtme, turizmi, për fushën e sipërmarrjes, shëndetësisë dhe arsimit.
Diaspora shqiptare ka rol të rëndësishëm në promovimin e produkteve shqiptare dhe mësimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë./REL