Bota

Publikohet lista e “Politico”, Erdoğan në mesin e njerëzve më të fuqishëm në Evropë

Shpërndaje

Organizata politike amerikane e lajmeve “Politico” e përfshiu presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan në listën e “njerëzve më të fuqishëm në Evropë në vitin 2024”, raporton Anadolu.

“Politico” përfshiu 28 emra nga Evropa në listën e “Njerëzve më të Fuqishëm të Evropës 2024” në tri kategori të veçanta.

Në kategorinë “Zbatuesit”, presidenti turk Erdoğan, i cili është cilësuar si “ndërmjetës”, u rendit i pesti.

Në profilin e faqes “Politico” thuhet se Erdoğan, i cili prej kohësh po përpiqet të pozicionohet si një “lider i fuqishëm gjeopolitik”, i ka mbijetuar tentativës së dështuar për grusht shteti në vitin 2016, duke shtuar se Erdoğan “kohët e fundit ka përfituar më së shumti nga dy krizat më të mëdha gjeopolitike, lufta ruso-ukrainase dhe konflikti Izrael-Hamas”.

– Vëmendjen e tërheq roli i Erdoğan-it në Ukrainë dhe Gaza

Shkrimi përmend se si Erdoğan, një nga njerëzit e paktë që ka lidhje me Kremlinin dhe zyrën e presidentit ukrainas, ka marrë rol ndërmjetësues që kur presidenti rus Vladimir Putin dërgoi trupat e tij në Ukrainë në vitin 2022.

Gjithashtu, thuhet se presidenti Erdoğan ishte pionier i Marrëveshjes së Drithërave të Detit të Zi dhe u angazhua për vazhdimin e kësaj marrëveshjeje.

Më tej u theksua se Erdoğan donte të luaj edhe një herë rolin e “ndërmjetësuesit” pas sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe se Erdoğan diskutoi “uljen e tensioneve me presidentin izraelit Isaac Herzog, presidentin palestinez Mahmud Abbas si dhe me liderët e Egjiptit, Libanit dhe Katarit”.

Erdoğan më vonë u pozicionua në anën e Palestinës, duke e quajtur Izraelin “pushtues” dhe duke thënë se “Perëndimi është fajtori kryesor për masakrën në Gaza”, thuhet ndër të tjera.

– Bashkëpunimi me Erdoğan-in

“Politico” thekson se presidenti turk po përpiqet të kthehet në orbitën e Bashkimit Evropian (BE) dhe shfrytëzoi procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO për të “hapëruar” në procesin e anëtarësimit të Türkiyes në BE, i cili ka stagnuar për një kohë të gjatë.

Më poshtë theksohet se aktualisht në Türkiye nuk po diskutohet rreth anëtarësimit në BE dhe shtoi: “Megjithatë, zyrtarët e BE-së po kërkojnë mënyra për të rritur bashkëpunimin me Erdoğan-in. Konsideroni këtë një fitore tjetër gjeopolitike për liderin turk”.

Në të njëjtën kategori, kryeministrja italiane Giorgia Meloni radhitet e para, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen e dyta, presidenti francez Emmanuel Macron u rendit i treti dhe shefi i zyrës së presidenti ukrainas Andriy Yermak, ishte i katërti.

Erdoğan pasohet nga zëvendëspresidenti i KE-së, Marosh Shefçoviç, udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, e cila kontestoi zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Francë, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (ECB) Christine Lagarde dhe Keir Starmer, udhëheqës i opozitës kryesore Partisë Laburiste në Britani të Madhe.