Zjarr i madh në Institutin e Mjekësisë Ligjore (Pamje)
Një zjarr i madh e ka rënë Institutin e Mjekësisë Ligjore në QKUK. Në videon e siguruar nga Nacionale, shihet zjarri dhe tymi që del nga IML-ja.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Policinë e Kosovës në lidhje me këtë zhvillim dhe është në pritje të një përgjigje nga ky institucion.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me zjarrin që ka përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Në një përgjigje për Nacionale, Policia theksuar se raportohet që nuk ka të lënduar nga ky zjarr.
“Sot rreth orës 08:00, është raportuar se në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë , dy zyra janë përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.” – deklaroi Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.
Zjarrfikësit kanë bërë të ditur se janë rrugës për në vendin e ngjarjes, që është afër QKUK-së, spitalit më të madh të Kosovës.
“Është djegur një zyre e objektit në katin e dytë, nga zjarri janë djegur disa letra. Nuk dihen ende shkaqet.” – ka thënë udhëheqësi i zjarrfikësve, Malë Gashi për Nacionalen.
Zjarri i marsit
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që është djegur gjatë këtij vitit ky institute. Në mars të këtij viti, kishte shpërthyer një zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve apo raste të tjera që janë nën hetim.
Në lidhje me zjarrin e marsit, Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, kishte dhënë detaje, duke sqaruar se nuk kishte pasur persona të lënduar.
“INCIDENT ZJARRI/Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prishtinë 25.03.2023, 20:20. Është raportuar se është përfshi nga zjarri objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore. Njësit policore si dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime.” – thuhej në raport.
Pamje brenda zyrave të djegura në IML
Sot në mëngjes, ndërtesa e Institutit të Mjekësisë Ligjore është kapluar nga zjarri.
Klankosova.tv përmes burimeve mëson se dyshohet se janë djegur zyrat e ish-drejtorit të IML-së, Arsim Gërxhaliut dhe zëvendësdrejtorit Ditor Halitit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. Sipas tyre, nuk ka persona të lënduar nga zjarri.
Ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimin e rrethanave që kanë shkaktuar zjarrin në këtë objekt.