Mbishkrimi “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqet edhe në Budvë
Në rrethrrotullimin në hyrje të Budvës, në Zavala, Mali i Zi, u shfaq një pankartë e madhe trengjyrëshe me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Grafitet me këtë mbishkrim janë shkruar në gusht edhe në Podgoricë në dy lokacione të ndryshme, raporton “Vijesti”, transmeton Klankosova.tv.
Analisti malazez Lubomir Filipoviq përmes një postimi në llogarinë e tij në X, ka bërë të ditur se derisa ishte duke shkuar për në vendlindjen e tij – Budvë, ka hasur në një transparent gjigant të flamurit të Serbisë me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ai theksoi se tash e dy muaj janë duke qëndruar mbi 30 transparente me thirrje nacionaliste serbe në vendlindjen e tij.
Në këto transparente sipas tij shkruan, “se malazezët nuk ekzistojnë si komb i veçantë”, dhe se deri më tani dhjetëra sosh janë vendosur në qytetin e tij të lindjes.
I njëjti grafit ishte shkruar më parë në disa qytete në Serbi dhe Bosnje Hercegovinë.
Një pankartë me të njëjtin mesazh u paraqit nga tifozët e klubit të futbollit “Cërvena zvezda” gjatë një ndeshjeje miqësore me Fiorentinën e Italisë më 26 korrik në Beograd./Klankosova.tv