Maqedoni

Ministri Shaqiri jep lajmin për hapjen e paraleles shqipe në Idrizovë

Shpërndaje

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri përmes një postimi ka bërë të ditur lajmin për hapjen e një paralele me mësim në gjuhën shqipe për nxënësit e klasave të gjashta të shkollës fillore “Njegosh” në Idrizovë të Shkupit.

Ministri Shaqiri theksoi se i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së komunës së Gazi Babës, për krijimin e kësaj paraleleje.

Njoftimi i plotë:
Kam kënaqësinë të informoj se morëm kërkesë nga Komuna e Gazi Babës për formimin e një paralele në klasën e gjashtë në shkollën fillore “Njegosh”, e cila mësimin do ta ndjek në gjuhën mësimore shqipe. Natyrisht, ne iu përgjigjëm pozitivisht kërkesës, sepse kur procesi edukativo-arsimor realizohet në gjuhën amtare, atëherë është më efikas. Në vendin tonë kjo e drejtë e qytetarëve është e garantuar dhe e rregulluar me Kushtetutë dhe me ligj dhe duhet respektuar ndërsa për këtë aludoi edhe komuniteti ndërkombëtar të cilin e njoftuam me sfidën, të motivuar nga arsye politike.

Jam i kënaqur dhe siguroj se përkushtimin për të siguruar qasje të barabartë në arsim cilësor dhe arsimim në gjuhën amtare për të gjithë qytetarët, si ministër i Arsimit dhe Shkencës, do ta vazhdoj edhe më tej deri sa të jem në këtë detyrë.

Njëkohësisht Ju bëj thirrje të gjithë aktorëve shoqërorë, ndërsa veçanërisht subjekteve politike, që politikën ta lënë mënjanë nga arsimi. Vetëm në këtë mënyrë, të bashkuar do të mund të fokusohemi në qëllimin kryesor – ndërtimin e sistemit arsimor kombëtar cilësor i cili do t’i orientojë të rinjtë drejt vlerave të vërteta – respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit, tolerancës dhe forcimit të ndjenjës së përkatësisë ndaj vendit dhe komunitetit.