Në prag të 29 –vjetorit të themelimit Universiteti i Tetovës ndau rreth tetëdhjetë bursa për studentët e ciklit të parë
Universiteti i Tetovës ka filluar me aktivitetet arsimore – shkencore të cilat organizohen në kuadër të agjendës për shënimin e 29-vjetorit të themelimit. Pikërisht sot, në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” në praninë e udhëheqësisë së Universitetit është mbajtur ceremonia e ndarjes së bursave për 77 ekselentë nga të gjitha njësitë akademike.
Drejtuesit e UT-së vlerësuan se studentët, si brezi më përfaqësues i shoqërisë, kanë qenë dhe do të mbeten shpresa e ndryshimit, përparimit dhe avancimit të proceseve arsimore, shkencore, kulturore e pse jo edhe politike. Në fjalën e tij para bursistëve dhe prindërve të tyre, Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se forca e studentëve buron nga dija, ndërkaq dija e tyre e forcon një shoqëri të tërë. “Universitetet konsiderohen të konsoliduara vetëm atëherë kur studentët ndihen të realizuar në qëllimin e tyre dhe vetëm atëherë kur arritjet e tyre profesionale i kalojnë auditorët e fakulteteve tona. Tashmë të gjithë e dinë se Universiteti i Tetovës paraqet qendrën arsimore – shkencore ku zhvillohen e realizohen me sukses të plotë qindra aktivitete, por ndarja e bursave për ekselentët, pa dyshim zë vendin e merituar dhe si e tillë, paraqet një nga sukseset tona të përbashkëta. Me këtë rast, në emrin tim dhe në emër të Universitetit, dekanëve të fakulteteve, profesorëve, studentëve, punonjësve të administratës, shpreh urimet e mia për këtë aktivitet që sot e organizojmë, si njëra nga ngjarjet më të veçanta në veprimtarinë e përgjithshme të Universitetit të Tetovës!”- deklaroi, Rektori i UT-së. Ai më tej theksoi se, ndarja e bursave për studentët e dalluar është dëshmia e vërtetë se Universiteti ynë identifikohet si institucioni i garës për dije, i konkurrencës, por edhe i mundësive të mëdha.
“Në përputhje me Ligjin për arsimin e lartë, me Statutin e Universitetit dhe me vendim të Senatit, të miratuar nga Rektori, ne sot do të ndajmë bursat universitare për 77 studentë të ciklit të parë në vitin akademik 2023/2024. Me këtë rast, si Rektor i Universitetit të Tetovës, i përgëzoj ekselentët tanë që i kanë plotësuar kriteret e kërkuara arsimore dhe i kanë fituar bursat universitare në bazë të punës, aftësisë dhe meritës së tyre dhe njëherit po ju shpreh mirënjohjen për kontributin që japin dhe nderin që i bëjnë Universitetit të Tetovës”- tha në fjalën e tij Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Në përfundim të këtij aktiviteti drejtuesit e Universitetit u zotuan se edhe në të ardhmen do të vijojnë të punojnë për avancimin e procesit mësimor – shkencor, forcimin e kapaciteteve universitare, të denja për kërkesat dhe sfidat me të cilat përballet bota bashkëkohore.