RajoniTop Lajme

Qeveria u kërkoi katër komunave në veri 12 milionë euro për borxhin e rrymës

Shpërndaje

Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’u kërkojë katër komunave në veri të Kosovës 12 milionë euro për ta paguar një pjesë të borxhit të KOSTT-it si pasojë e devijimit të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit ENTSO-E, raporton Koha.net.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, që prezantoi propozimin, kërkesa për mbështetje financiare nga KOSTT-it është bërë nën arsyetimin se rrezikon likuiditetin nga ndëshkimet.

“Kemi pranuar para dy ditësh kërkesë për mbështetje financiare, për shkak se ndërmarrja ka problem me likuiditet dhe rrezikon nga ndëshkimet, si rezultat i devijimeve të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit, devijime që vijnë për shkak të katër komunave në veri. Si Qeveri kemi thënë se energjia duhet të paguhet nga ata që e shpenzojnë dhe pavarësisht devijimeve do të konsiderohet borxh. Marrë parasysh se kjo është shpenzuar nga qytetarët që jetojnë në këto katër komuna, është më se e drejtë që edhe barra për pagesë të këtij borxhi t’u takojë atyre. Në mënyrë që të paguhet një pjesë e borxheve kemi kërkuar nga këto katër komuna që ta deklarojnë buxhetin e tyre si kursim, përfshirë edhe fondin zhvillimor të mirëbesimit që tashmë është i alokuar në këto komuna. Këto mjete do të përdoren për të shlyer një pjesë të borxhit ndaj KOSTT-it”, ka thënë Murati.

Sipas tij, për këtë devijim Mitrovica e Veriut duhet të ndajë 6.5 milionë euro, Zveçani 1.1 milionë euro, Zubin-Potoku 1.6 dhe Leposaviqi 2.6.

Në vendim abstenoi ministri Nenad Rashiq.