BotaTop Lajme

Blinken: Situata në Gaza është e dhimbshme, vuajtja e të pafajshmëve më thyen zemrën

Shpërndaje

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vuajtjen e palestinezëve në Gaza e ka quajtur “të trishtueshme”, duke shtuar se “duhet të ketë një mënyrë tjetër” për të adresuar shqetësimet e Izraelit, transmeton Anadolu.

“Ajo që shohim çdo ditë në Gaza është e trishtueshme dhe vuajtja që shohim mes burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm më thyen zemrën”, tha Blinken në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Blinken e përshkroi “tragjedinë” në enklavën e rrethuar si “shkatërruese”.

“Unë jam i bindur se duhet të ketë dhe ka një mënyrë tjetër që i përgjigjet shqetësimeve dhe pyetjeve më të mëdha të Izraelit. Izraelitët duhet të jetojnë të sigurt. Ne nuk mund të kemi përsëritje të 7 tetorit. Asnjë vend nuk do të pranonte përsëritjen e 7 tetorit”, tha shefi i diplomacisë amerikane.

Që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor, zyrtarët amerikanë kanë theksuar solidaritetin e tyre me Izraelin pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi.

Pas atij sulmi, Izraeli filloi një ofensivë të pamëshirshme ushtarake kundër Gazës që ka zgjatur më shumë se tre muaj.

Gjatë fushatës ushtarake izraelite janë vrarë të paktën 24.448 palestinezë dhe 61.504 të tjerë u plagosën. Shumica e viktimave janë fëmijë dhe gra.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, 85 për qind e popullsisë së Gazës është e zhvendosur brenda vendit për shkak të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.