DASH konfirmon: Kosova do të blejë raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh
Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net, ka konfirmuar të enjten mbrëma se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Kjo u konfirmua nga një zëdhënës i DASH-it derisa u theksua mbështetja për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.
DASH-i po ashtu tha për Gazetën Online Reporteri.net se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.
Sipas DASH-it, shitja e këtyre armëve mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.
“SHBA-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”, thuhet tutje në përgjigjen e DASH-it.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur zhgënjim të madh lajmin për kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave, duke shtuar se Serbia, së bashku me SHBA-në, do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.
“Për ne, është shumë e rëndësishme që paqja në rajon të mos prishet dhe që Serbia të vazhdojë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan”, tha presidenti serb.
Raketa “Javelin” prodhohet që nga viti 1994 dhe çdo herë është përmirësuar. Ushtria amerikane e përdori për herë të parë këtë raketë në Irak dhe Afganistan më 2003.
Ajo u bë e njohur në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ukraina i ka përdorur gjerësisht këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse. Përdoret edhe për shkatërrimin e tankeve./Reporteri