Ekuipazhi i Misionit Ax-3 mirëpritet në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor
Një ceremoni mirëseardhjeje u mbajt pas mbërritjes së ekuipazhit të Misionit Axiom 3 në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) sot, transmeton Anadolu.
Ekuipazhi prej shtatë anëtarësh i stacionit takoi astronautët e Ax-3 Michael Lopez-Alegria, Walter Villadei, Marcus Wandt dhe udhëtarin e parë të Türkiyes në hapësirë, Alper Gezeravcı.
Misioni u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida në orën 16:49 ET të enjten (2149 GMT) me një raketë Falcon 9 të kompanisë private të eksplorimit të hapësirës SpaceX.
Ekuipazhi, i cili u ankorua në orën 5:42 të mëngjesit me Kohën Standarde Lindore (10:42 GMT), hyri në ISS në orën 07:16 EST. Ekipi prej katër personash do të kryejë më shumë se 30 kërkime shkencore gjatë qëndrimit të tyre 14-ditor.
“Kjo është një kohë tepër emocionuese për fluturimin njerëzor në hapësirë me misionin e tretë privat, i cili po lejon shumë vende të marrin pjesë në kërkimin shkencor dhe zhvillimin e teknologjisë që ne bëjmë në bordin e këtij laboratori orbital”, tha komandanti i ISS-së Andreas Mogensen në ceremoni.
“Kemi dyfishuar numrin e kombësive në bordin e stacionit hapësinor duke shkuar nga katër në tetë, gjë që mendoj se është një dëshmi e madhe për bashkëpunimin ndërkombëtar, i cili mbështet këtë stacion të mrekullueshëm hapësinor”, shtoi ai.
Ndërkaq, astrounauti nga Türkiye, Alper Gezeravcı, tha se është i lumtur që përfaqëson vendin e tij dhe mezi pret të kontribuojë në përpjekjet shkencore dhe kërkimore.
Duke folur edhe në gjuhën turke, ai shprehu mirënjohjen e tij për Mustafa Kemal Ataturkun, themeluesin e Republikës së Türkiyes, dëshmorët, shtetin dhe kombin që i dhanë mundësinë për të hyrë në hapësirë.
Lopez-Alegria, udhëheqësi i Misionit Ax-3, tha: “Ky është me të vërtetë një simbol se si Axiom në bashkëpunim me NASA-n dhe partnerë të tjerë po punon për të zgjeruar aksesin e njeriut në orbitën e ulët të Tokës”.
“Kaq shumë kombësi të përfaqësuara në bord dhe kjo është me të vërtetë simbolike e asaj që ne po përpiqemi të bëjmë për ta hapur atë jo vetëm ndaj kombeve të tjera, por edhe ndaj individëve dhe studiuesve”, shtoi ai.
Piloti Villadei tha se është e mahnitshme që gjendet në ISS dhe që sheh se si bashkëpunimi ndërkombëtar ka çuar në krijimin e këtij stacioni.
Anëtari i ekuipazhit Wandt tha se është e mrekullueshme të fluturohet përreth Tokës.