Erdogan prezanton kandidatin e Stambollit (Video)
Murat Kurum është kandidati i partisë së Rexhep Tayyip Erdogan për bashkinë e madhe të Stambollit në garën e zgjedhjeve lokale të 31 Marsit. Erdogan ia beson kandidaturën për qytetin më të madh të vendit, ish-ministrit të Mjedisit gjatë mandatit të tij të dytë si president i Turqisë. Kurum, një figurë e rëndësishme e partisë në pushtet kërkon që të marrë një mandat 5-vjeçar në krye të bashkisë së madhe të Stambollit që partia e Erdogan e humbi në zgjedhjet e fundit të vitit 2019.
Gjatë kohës kur ishte ministër i Mjedisit, Murat Kurum realizoi disa projekte të rëndësishme infrastrukturore ndërsa ministria e tij udhëhoqi edhe punën për rindërtimin në qytetin e Laçit pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Agjencia shtetërore TOKI ndërtoi në Laç 500 njësi banimi si ndihmë nga shteti turk për të prekurit nga fatkeqësia.
Emri i Kurum u prezantua nga vetë Erdogan në Stamboll ndërsa gjatë fjalës së tij presidenti turk shprehu bindjen se do ta rimarrin bashkinë më të madhe të vendit.
“Ashtu siç e shpëtuam Stambollin 30 vjet më parë sërish do ta shpëtojmë nga ata që e kanë uzurpuar dhe nuk po punojnë për këtë qytet. Ashtu siç fituam në 28 Maj do t’i fitojmë edhe zgjedhjet e 31 Marsit. Do të bëjmë edhe në Stamboll ato ndryshime që bëjmë çdo ditë në Turqinë tonë.”
Ndërkohë opozita prezantoi të premten kandidaturën e Ekrem Imamollu për garën e 31 Marsit në Stamboll. Ai kërkon një mandat të dytë në krye të kësaj bashkie pas fitores së 5 viteve më parë kur arriti të merrte Stambollin që drejtohej deri në atë kohë nga partia në pushtet e Erdogan.
Javën e ardhshme do të konfirmohen edhe kandidaturat për kryeqytetin e vendit, Ankaranë e më pas do të nisë edhe fushata elektorale. Nëse partia në opozitë, ajo republikane popullore arrin që të rimarrë bashkitë e mëdha, Stambollin, Ankaranë dhe Izmirin sipas njohësve të politikës në Turqi, nuk përjashtohet mundësia që të kërkohen edhe zgjedhje të parakohshme presidenciale.