Bota

Kryqi i Kuq: Situata në Gaza “përtej katastrofës”, rindërtimi kërkon “përpjekje të mëdha”

Shpërndaje

Kriza humanitare në Rripin e Gazës po arrin nivele katastrofike, duke u intensifikuar çdo ditë e më shumë.

Autoritetet e OKB-së e kanë përshkruar enklavën si “një vend vdekjeje dhe dëshpërimi” në tre muajt e fundit të konfliktit.

Rreth 25.000 palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 62.500 janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e bllokuar.

Më shumë se 1,9 milion janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre, disa prej tyre shumë herë.

Sipas OKB-së, 85 për qind e popullsisë në Gaza është tashmë e zhvendosur brenda vendit, ndërsa përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, kurse 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Tommaso Della Longa, zëdhënës i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), tha se situata po bëhet “keq e më keq”.

“Ajo që po shohim është ajo që kemi parashikuar, dhe jo sepse jemi magjistarë, por sepse e dimë nga përvoja”, tha ai për Anadolu, duke shtuar se qindra mijëra palestinezë janë në strehimore pa akses në ujë të rrjedhshëm, ushqim të duhur dhe kanalizime të përshtatshme.

E gjithë popullsia e Gazës po përballet me nivele krize të pasigurisë ushqimore ose më keq, sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP), i cili ka paralajmëruar për një uri të afërt.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gaza janë të uritur, me nëntë nga dhjetë palestinezë që hanë më pak se një vakt në ditë dhe përpiqen të gjejnë ujë të pastër dhe të pijshëm.

“Është përtej katastrofikes”, tha Della Longa.

“Ne e dinim që në fillim se mungesa e ushqimit, mungesa e ujit të pastër, mungesa e strehimit, mungesa e strehimit të duhur, me ujin e rrjedhshëm dhe kanalizimin, do të kishin çuar në atë që po ndodh tani, që do të thotë se sëmundjet e frymëmarrjes, diarreja po përhapen si zjarri mes popullatës”, tha ai.

Për shkak të sulmeve të Izraelit, infrastruktura dhe shërbimet bazë janë shkatërruar çdo ditë. Sipas të dhënave më 30 dhjetor, afërsisht 65.000 njësi banimi në Rripin e Gazës janë shkatërruar ose janë bërë të pabanueshme, me 290.000 njësi të tjera që kanë pësuar dëme, siç raportohet nga Zyra e Mediave e Qeverisë në Gaza.

Sulmet izraelite kanë asgjësuar gjithashtu sistemin e kujdesit shëndetësor të Gazës.

Bazuar në vlerësimet më të fundit nga OBSH-ja, Gaza aktualisht ka 13 spitale që funksionojnë me kapacitet të pjesshëm, dy me funksionalitet minimal dhe 21 që janë tërësisht jofunksionalë. Kjo përfshin Kompleksin Mjekësor Nasser, një spital i rëndësishëm referimi në Gazën jugore, i cili është pjesërisht funksional.

“Niveli i shkatërrimit është i paprecedentë. Ka vende në veri që janë krejtësisht të rrafshuara, infrastrukturë që nuk ekziston më, pompa uji që nuk funksionojnë më, spitale që kryesisht u mbyllën ose u shkatërruan”, tha Della Longa.

“Do të kemi nevojë për përpjekje të mëdha të komunitetit ndërkombëtar për të treguar solidaritet dhe mbështetje për palestinezët në Rripin e Gazës”, tha ai.

Një afat kohor për rindërtimin është “shumë i vështirë”, tha ai, duke theksuar se edhe nëse konflikti përfundon, “do të duhen vite për t’u kthyer në një lloj jete normale”.

Ai theksoi se jeta nuk ka qenë kurrë normale në Gaza.

“Para fillimit të këtij konflikti… jeta normale nuk ishte aspak normale. Njerëzit në Gaza kanë vuajtur. Ndonjëherë komuniteti ndërkombëtar harron se njerëzit në Gaza po vuanin edhe para kësaj”, tha ai.

– Sulmet e Izraelit ndaj ambulancave janë “të papranueshme”

Avionët luftarakë izraelitë goditën një ambulancë në Deir al-Balah javën e kaluar, duke vrarë katër anëtarë të Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dhe dy pacientë.

IFRC-ja dënoi sulmin dhe tha se këto vrasje ishin “tronditëse dhe plotësisht të papranueshme”.

“Është e papranueshme që një ambulancë përfundoi në vijën e shënjimit”, tha Della Longa.

“Ambulanca ishte e shënuar qartë se ishte e Kryqit të Kuq, me stemën e Gjysmëhënës së Kuqe, e cila sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare të Konventës së Gjenevës, duhet të respektohet dhe mbrohet nga të gjitha palët në konflikt”.

“Ne e dënojmë këtë lloj akti dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë dhe mbrojnë punëtorët dhe, natyrisht, civilët dhe objektet e kujdesit”, shtoi ai.