“Nuk më intereson”, avokati serb: Kam të drejtë të nderoj familjen e Adem Jasharit
Avokati serb Çedomir Stojkoviq është shprehur se Serbia duhet të njohë të drejtat e çdo personi dhe mendimet e tyre ndryshe.
Këto komente Stojkoviq bëri lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Serbi, ku politikani opozitar serb Nikola Sanduloviq u rrah brutalisht dhe uburgos vetëm pse bëri homazhe dhe vendosi lule mbi varrin e një fëmije të familjes Jashari në Prekaz.
Stojkoviq tha se është e drejta e çdokujt të nderojë të vdekurit dhe shtoi se atij nuk i intereson nëse të tjerët e konsiderojnë familjen e Adem Jasharit terroriste.
“Pyetja është më se e qartë. Ju mbani mend se unë ju thashë në fillim që duhet ta mbajmë këtë çështje të thjeshtë. Unë kam të drejtë të vendos lule mbi varrin e Adolf Hitlerit, Bin Ladenit, ose mbi varrin e një fëmije 7 vjeçar shqiptar. Kjo është e drejta ime. Mua nuk më intereson nëse ju e konsideroni familjen Jashari si një grup terrorist apo jo, nuk më intereson fare”, tha Stojkoviq, për Euronews Albania.
Ai shtoi se me rrahjen barbare dhe arrestimin e Sanduloviqit, çdo serb duhet të ndihet i turpëruar, pasi një veprim i tillë e nxjerr Serbinë nga lista e kombeve të civilizuara.
“Nikola Sanduloviq është në burg sepse ai shkoi te monumenti i Jasharit dhe vendosi lule në varrin e askujt tjetër, por në varrin e një vajze 7-vjeçe. Ajo u vra nga forcat e sigurisë së Serbisë dhe për këtë arsye prokuroria në Serbi vendosi të ngrejë akuza ndaj tij duke thënë se ai ka kryer një krim dhe ka nxitur fjalime urrejtjeje kundër kombit serb. Kjo është diçka e tmerrshme. Kjo është dita kur çdo serb duhet të ndihet i turpëruar. Kjo është diçka e cila të nxjerr jashtë vendeve të kombeve civile. Ti nuk je më komb i civilizuar nëse dënon një person vetëm se ai ka vendosur lule në varrin e një fëmije 7-vjeçar. Kjo është e papranueshme. Sanduloviq është në burg vetëm se vendosi lule në varrin e një fëmije 7-vjeçar”.
“Shumë në Serbi duan ta portretizojnë sikur ai është një terrorist vetëm se ai vendosi lule në varrin e personave që i quan terroristë”, tha avokati.
Politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq, një kritik i deklaruar i Presidentit Vuçiq, është rrahur barbarisht në Serbi, një ditë pasi publikoi një video të homazheve të bëra mbi varrin e Adem Jasharit në Prekez.