OKB: Izraeli pengon dërgimin e ilaçeve dhe karburantit të nevojshëm për pompimin e ujit në veri të Gazës
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) njoftoi se Izraeli pengon dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe nuk lejon as dërgimin e ilaçeve dhe karburantit të nevojshëm për pompimin e ujit në veri të Gazës, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e përditshme me shkrim të lëshuar nga OCHA për situatën në Rripin e Gazës thuhet se autoritetet izraelite pengojnë dërgimin e ilaçeve dhe karburantit të nevojshëm për funksionimin e sistemeve të ujit të pastër dhe të ujërave të zeza.
“Mungesa e karburantit për evakuimin e mbetjeve dhe për higjienën rrit rrezikun shëndetësor dhe mjedisor, ndërsa mungesa e ilaçeve ka dobësuar funksionalitetin e 6 spitaleve që janë pjesërisht funksionale”, njoftohet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se që nga fillimi i janarit e deri më tani, është lejuar vetëm një nga 19 përpjekjet për ndihma për të siguruar karburant dhe furnizime për objektet e ujit në Gazën veriore.
Në Rripin e Gazës, ku ndihmat humanitare janë të bllokuara nga forcat izraelite, krahas produkteve të nevojave bazë, shënohen vështirësi të mëdha në trajtimin e të plagosurve për shkak të mungesës së ilaçeve dhe produkteve shëndetësore.
Teksa njoftohet se nën rrënoja ndodhen mijëra të vdekur, vihet në dukje se infrastruktura civile po shkatërrohet duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit strehohen.
Në raportin që OCHA publikoi më 12 janar, u bë e ditur se vetëm 3 nga 21 dërgesat e ndihmës humanitare të planifikuara për në pjesën veriore të Rripit të Gazës u lejuan në 10 ditët e para të vitit.
Edhe Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) theksoi se situata në Gaza është përkeqësuar në një nivel të paparë dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për “armëpushim të menjëhershëm humanitar”.