Udhëtimi i parë hapësinor i Türkiyes do të mund të ndiqet nga të katër anët e vendit
Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë të Türkiyes, Mehmet Fatih Kacır, njoftoi se udhëtimi hapësinor i astronautit të parë turk Alper Gezeravcı që do të fillojë pas mesnatës do të ndiqet në qendrat shkencore dhe me aktivitete nëpër sheshe në qytete të ndryshme, transmeton Anadolu.
Nga llogaria e tij në median sociale X, Kacır bëri një postim lidhur me aktivitetet që do të zhvillohen me rastin e udhëtimit të parë hapësinor me njerëz të Türkiyes.
Emocionet lidhur me udhëtimin hapësinor të astronautit të parë turk Alper Gezeravcı do të rrethojnë tokën dhe qiellin, tha Kacır, duke rikujtuar se udhëtimi i astronautit të parë turk Gezeravcı në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës do të fillojë në orën 01:11 pas mesnate.
Pasi bëri të ditur se të gjithë do të mund të ndjekin nga ekranet e tyre ato momente ku do të mbahet fryma për shkak të ceremonisë së lëshimit, Kacır deklaroi se “Ky emocion historik do të mund të ndiqet në qendrat tona shkencore dhe me aktivitete nëpër sheshe”.
Sipas informacioneve në postimin e ministrit Kacır, udhëtimi hapësinor i Gezeravcı do të ndiqet nga qendrat shkencore në İstanbul, Trabzon, Konya, Aksaray, Muş, Kayseri, Antalya, Gaziantep, nga Qendra e Trajnitmit të Aviacionit Hapësinor Gökmen në Bursa, nga planetariumet e ngritura në sheshin Taksim në Istanbul dhe në sheshin Kızılay në Ankara si dhe nga Instituti Kërkimor i Teknologjive Hapësinore TÜBİTAK dhe Sheshi Silifke në Mersin.