MaqedoniTop Lajme

Xhaferi: Zgjedhje korrekte sipas standardeve më të larta, mirëqenia, përparimi dhe dinjiteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut është obligim parësor i të gjithëve

Shpërndaje

Kryetari i sapozgjedhur i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, pas marrjes së detyrës së Kryeministrit nga Kryetari i deritanishëm i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, dha deklaratë për media së bashku me kryeministrin e deritanishëm Kovaçevski.

Në vazhdim teksti integral nga deklarata e Kryeministrit Xhaferi.

„I nderuar ish Kryeministër Kovaçevski,

Të nderuar mediume,

Ju uroj mirëseardhje në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me premtim se së paku një herë në muaj do të shihemi rregullisht.

Siç e dini, sapo e përfunduam takimin tet-a-tet me z. Kovaçevskin, për të bërë pranim-dorëzimin e detyrës së Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Natyrisht se përpos pranimit të urimeve për përbërjen e re qeveritare që u votua dje në Kuvend, me z. Kovaçevskin u pajtuam për çështjet primare që do të jenë në fokusin e Qeverisë që e paraprij unë.

Shpreha kënaqësinë dhe përgjegjësinë për detyrën që e mora përsipër, duke e përsëritur atë që e thashë edhe dje në ekspozenë time në Kuvend, respektivisht, Kushtetuta dhe ligjet do të jenë baza mbi të cilën do e mbështes çdo vendim dhe veprim që do e ndërmarrim si Qeveri.

Duke qenë se jemi në Koalicionin qeveritar që punonte me Programin e pranuar të Punës së Qeverisë 2022-2024, natyrisht se edhe Qeveria që do e udhëheq unë obligohet të vazhdojë me zbatimin e plotë, efikas dhe të suksesshëm të politikave të pranuara.

Sdo mend se detyra primare e kësaj Qeverie është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike të rregullta presidenciale më 24 prill dhe 8 maj dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj 2024, dhe për këtë, Qeveria në një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore dhe në bashkëpunim me Kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Misionin e OSBE/ODIHR-it, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të, do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vetë zgjedhjet, që të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë, legjitimitet dhe pranim konsensual të vullnetit elektoral të qytetarëve.

Mbajtja dhe avancimi i partneritetit strategjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, me Aleancën e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si qëllime strategjike të pranuara që nga pavarësia e shtetit, mbeten prioritet primar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtë dua ta theksoj edhe më fuqishëm tani, në këtë diskurs gjeopolitik kur çdo hezitim, lëkundje apo mospasje e orientimit të qartë evropian, mund të shfrytëzohet nga fuqi të treta të cilat janë në kërkim të aleatëve që mund të kenë polifoni në shprehjen e qëndrimeve shtetërore dhe potencimin e qartë të vlerave dhe përcaktimeve që përfaqësojnë vlerat e mirëfillta demokratike dhe paqedashëse. Kështu që, për Qeverinë, ruajtja dhe promovimi i partneritetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të Aleancës së NATO-s dhe mbetja besnik ndaj Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian – nuk ka alternativë.

Integrimi evropian dhe përmbushja e obligimeve që rrjedhin nga negociatat e nisura dhe procesit të skriningut dypalësh, si Udhërrëfyesi për reformat në administratën publike dhe për kapitujt për sundimin e së drejtës me Plan Aksionar, përpilimi i Udhërrëfyesit për funksionimin e institucioneve demokratike, për integrimin e plotë dhe të përshpejtuar dhe anëtarësimin e plotfuqishëm të shtetit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, janë po ashtu lartë në agjendën e Qeverisë.

Zbatimi efikas i politikave të suksesshme për avancimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe përshpejtimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik në vitin 2024, si edhe vazhdimi i plotë i politikave, instrumenteve dhe vendimeve të suksesshme për të mbështetur nevojat dhe prioritetet sociale, shëndetësore, arsimore, kulturore dhe civile të të gjithë qytetarëve, vazhdojnë të jenë në fokusin e Qeverisë.

Planit i Rritjes, si pjesë e pakos së zgjerimit të Komisionit Evropian dhe instrument për forcimin e konvergjencës socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe përshpejtimin e reformave të BE-së do të ketë vëmendjen e plotë të Qeverisë për të mundësuar zbatimin e suksesshëm të tij për mirëqenien e qytetarëve tanë.

Të nderuar mediume, ethashë edhe dje, do e përsëris edhe tani. Pa marrë parasysh se sa do të zgjasë kjo Qeveri, Ju siguroj se në asnjë çast nuk do të mungojë funksionimi i rregullt institucional, bashkëpunimi dhe inkluziviteti në punën e Qeverisë, duke siguruar që çdo segment apo dikaster të jetë transparent, llogaridhënies dhe mbi të gjitha efikas dhe në shërbim të qytetarëve.

Të nderuar qytetarë, ne mund të jemi me provenienca të ndryshme në këtë përbërje qeveritare, por ka një gjë që nuk ndryshon kurrë! Ne të gjithë jemi aty ku jemi falë legjitimitetit Tuaj dhe ruajtja e interesave Tuaja, krijimi i kushteve më të mira për mirëqenien Tuaj, përparimi, pozicionimi dhe ruajtja e dinjitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rajon dhe botë, është e drejtë dhe obligim primar i të gjithëve!

Ju faleminderit për vëmendjen!“