Rajoni

Dita e Gjuhës Amtare, Presidenti Begaj: Përgëzoj të gjithë ata prindër dhe mësues që përcjellin te fëmijët tanë “Gjuhën Shqype”

Shpërndaje

Presidenti Bajram Begaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, bëri apel për ruajtjen, pasurimin dhe përcjelljen e gjuhës shqipe, sidomos në kushtet kur shumë shqiptarë jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe të një ndërveprimi të pandalshëm me gjuhët e tjera.

Presidenti ndau në faqen e tij zyrtare në Facebook vlerësimin për shqiptarët që e kanë ruajtur dhe trashëguar gjuhën ndër shekuj.

Begaj përgëzoi në veçanti shqiptarët që ndër vite jetojnë jashtë vendit, prindërit dhe mësuesit, të cilët, krahas bashkëjetesës me kulturat e popujve të ndryshëm në shtetet ku jetojnë, arrijnë të ruajnë gjuhën amtare si identitet kombëtar.

“Është mbresëlënës dhe unikal çdo element që reflekton dashurinë për atdheun. Shqiptarët kudo në botë e ruajnë dhe e trashëgojnë gjuhën si pjesë thelbësore të identitetit tonë kombëtar. Sot, në Ditën Botërore të Gjuhës Amtare, përgëzoj të gjithë ata prindër dhe mësues që përcjellin te fëmijët tanë “Gjuhën Shqype”, shkruan Presidenti në Facebook.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare Presidenti Begaj shpërndau dhe një material filmik, ku fëmijë, lindur e rritur në shtete të ndryshme të botës, interpretojnë vargjet e poezisë “Gjuha Shqype” të Ndre Mjedës.

Në Ditën e Gjuhës Amtare, nga “Mësonjëtorja e Parë” në Korçë u shpall edhe data e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, i shumëpritur në të gjitha shkollat 9-vjeçare nga veriu në jug.