Erdoğan: OKB-ja dhe Perëndimi po vëzhgojnë krimet izraelite në Gaza për 140 ditë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka kritikuar Kombet e Bashkuara (OKB) dhe vendet perëndimore se “vetëm po vëzhgojnë krimet humanitare” të kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës gjatë 140 ditëve të fundit, raporton Anadolu.
“Aq shumë sa Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk kërkon dhe nuk mund të bëjë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm”, kritikoi presidenti Erdoğan, duke folur në një takim të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në provincën veriperëndimore Sakarya.
“As fuqitë perëndimore dhe as Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk kanë bërë një përpjekje të dobishme për të parandaluar dhunën izraelite”, theksoi presidenti turk.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, ku deri më tani janë vrarë të paktën 29.606 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe janë plagosur rreth 69.730 të tjerë.
Lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Për herë të parë që nga krijimi i tij në vitin 1948, Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në Gaza. Një vendim i përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.