MaqedoniTop Lajme

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti nesër do ta publikoj lajmin e madh

Shpërndaje

BDI-ja ka njoftuar se lideri i partisë Ali Ahmeti nesër do ta kumtojë “lajmin e madh”. Integristët nuk japin më shumë detaje për këtë publikim, edhe pse jozyrtarisht pritet të publikojë emrin e kandidatit për president nga kjo parti. Në ndërkohë, mbetet e pasigurt nëse BDI dhe LSDM do të dalin me lista të përbashkëta në zgjedhjet parlamentare. Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, në komentimin e qëndrimit të BDI-së se sipas gjitha gjasave do të dalin vet tha se ajo është çështje e tyre.

“Për momentin po punohet për përcaktimin e kandidatëve dhe listave të partnerëve të koalicionit me të cilët tradicionalisht shkojmë në zgjedhje”, tha Dimitar Kovaçevski – kryetar i LSDM-së.

Mirëpo, Kovaçevski nuk e mbylli opsionin për dalje të përbashkët me BDI-në, sepse, siç tha, nuk përjashtohet që listat e përpiluara nga LSDM të zgjerohen edhe me parti të tjera për të cilat po diskutohet.

“Janë parti që janë në koalicion qeveritar me LSDM-në dhe që nuk kanë qenë në listat e përbashkëta në zgjedhjet e fundit të vitit 2020″, u shpreh Dimitar Kovaçevski – kryetar i LSDM-së.

Në anën tjetër, emrat e kandidatëve potencialë për kryetar të VMRO-së pritet të bëhen të ditur së shpejti. Ata nuk kanë treguar ende se kush është në garë kurse propozimi i tyre do të zyrtarizohet në Konventën e Partisë në fillim të marsit.
“Të presim deri në fund të ditës sepse afati nuk ka mbaruar dhe pastaj do të mund të japim përgjigje”, u shpreh Aleksandar Nikolloski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Opozita e bashkuar shqiptare tashmë ka zyrtarizuar emrin e Arben Taravarit për kandidat për president. E Majta nga ana tjetër, kandidon me profesoreshën Biljana Vankovska. Afati i fundit për zyrtarizimin e kandidaturave për president është data 20 mars. /Alsat.mk