Kryeministri Rama pritet me ceremoni nga Erdogan/ Presidenca turke zbardh agjendën e vizitës në Ankara
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Turqi me ftesë të presidentit Recep Tayyip Erdogan, transmeton Anadolu.
Pas vizitës në Anitkabir, Mauzoleumin e “Mustafa Kemal Atatürk” për të nderuar figurën e reformatorit të madh, lider i Luftës Turke për Pavarësi, si dhe themelues e President i parë i Republikës së Turqisë, kryeministri Rama është pritur me ceremoni zyrtare në Kompleksin Presidencial nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Agjenda: Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke, në kuadër të vizitës, në Ankara do të zhvillohet takimi i parë i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Shqipëri, nën kryesimin e Erdoganit dhe Ramës.
Në mbledhjen e Këshillit do të shqyrtohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve Turqi- Shqipëri dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
“Gjatë diskutimeve me Shqipërinë, aleatin e NATO-s, do të shkëmbehen ide mbi marrëdhëniet dypalëshe si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Ballkan, mbi bazën e mirëkuptimit për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në kuadër të takimit është planifikuar edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ligjore që do të japin kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.