RajoniTop Lajme

Kurti bashkë me ministrat zhvillon takimin e gjashtë me kryetarët e komunave të Kosovës

Shpërndaje

Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të mëtutjeshëm të komunikimit si Qeveri e Republikës së Kosovës, si dhe me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve dhe kërkesave në nivelin lokal, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrin e Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, sot zhvilloi takimin e gjashtë të rregullt me kryetarët e komunave të Kosovës.

Në këtë takim të radhës, krahas riktheksimit të ndarjes buxhetore për komuna këtë vit, që kap vlerën 742 milionë euro e që është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak 2023 dhe 195 milionë më shumë se në vitin 2021, kryeministri Kurti ngriti për trajtim edhe dy çështje tjera të rëndësishme: regjistrimi i popullsisë, që pritet të nisë në fillim të muajit prill dhe çështja e qenve të braktisur dhe endacakë.

Në lidhje me të parën, kryeministri u bëri thirrje të gjithëve për përkushtim dhe angazhim të përbashkët për përfundim me sukses të këtij procesi me rëndësi qenësore për zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë. “Politikëbërja e bazuar në të dhëna është e rëndësishme si për nivelin qendror ashtu edhe atë lokal të qeverisjes, sepse mundëson planifikim të mirë, shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të burimeve për arsim, shëndetësi, banim dhe punësim për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e vendit tonë”, u shpreh ai.

Ndërsa sa i përket shqetësimit në lidhje me strehimin e qenve endacakë më të cilët përballet secila komunë, ai tha se grupi koordinues që udhëhiqet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në strategjinë e tij ka paraparë disa hapa ndërinstitucionalë, ndër to ndërtimin e strehimoreve dhe zhvillimin e shërbimeve lokale të menaxhimit të qenve. Në mesin e tyre, ndërtimin e katër strehimoreve në katër komuna: në Prishtinë, në Prizren, në Pejë, dhe Gjilan/Kamenicë, bazuar në udhëzimin administrativ aktual. Kryeministri Kurti u bëri thirrje kryetarëve dhe përfaqësuesve të komunave që të bashkëpunojnë sa më ngushtë me grupin koordinues në realizimin e objektivave të synuara.

Ndërkaq, ministri Krasniqi fillimisht tha se ky takim i radhës shërben si tryezë e diskutimit për ku dy nivelet diskutojnë për projekte dhe programet, të cilat sjellin zhvillimin ekonomik lokal dhe rrisin mirëqenien e qytetarëve, teksa ftoi komunat t’i përgjigjen thirrjes së hapur me 15 shkurt për raportim në sistemin e performancës për vitin 2023 dhe të aplikojnë në programin për financimin e projekteve infrastrukturore, pranë Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që mbetet i hapur deri me 28 shkurt.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari, z.Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal,
Të nderuar kryetarë të komunave,
Të nderuar nënkryetarë të komunave,
Të nderuar ministra e zëvendësministra,
Të nderuar përfaqësues e punonjës të mediave,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Mirë se po takohemi në mbledhjen e gjashtë të këtij formati, tashmë të zakonshëm dhe të rregullt, me qëllim që të dëgjojmë kërkesat tuaja dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet tona.

Buxheti i Komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro. Gati gjysmën e buxhetit të disponueshëm Qeveria ia ndan komunave. Po bëhet viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak 2023. Kurse nga fillimi i mandatit, për tri vite, buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë.

Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kapë shumën prej 284.7 milionë euro, që njëherësh është granti me vlerën më të madhe ndonjëherë.

Komuna e Ferizajt dhe e Gjakovës janë dy prej komunave me më së shumti projekte infrastrukturore të mbështetura nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Teksa, komuna e Rahovecit, Obiliqit dhe Skenderajt janë renditur në top tre komunat përfituese nga Granti i Performancës Komunale që ndahet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Secila komunë këtë vit e ka të paktën për 40% më të lartë buxhetin sesa para tre viteve.

Këto janë shifra dhe të dhëna të cilat i dini të gjithë, jo vetëm sepse i kam përsëritur unë dhe ministrat e Qeverisë. E arsyeja se pse po detyrohem t’i ripërsëris është se në vazhdimësi po dëgjojmë akuza e kritika për mungesë të mbështetjes së komunave nga Qeveria ose pabarazi të mbështetjes. As njëra, as tjetra nuk qëndrojnë. Andaj meqë jemi këtu, në frymë të bashkëpunimit, duhet që asnjëri nga ne të mos i kontribuojmë keqinformimit të qytetarëve, por të luajmë një rol aktiv të mirinformimit të tyre kur vjen puna te mbështetja nga niveli qendror për atë lokal.

Përveç kësaj, në këtë takim të radhës, së bashku me juve, dëshiroj që të adresoj edhe dy çështje tjera që janë me interes të përbashkët.

Siç jeni në dijeni, regjistrimi i popullsisë do të fillojë në fillim të muajit prill, pra një muaj e gjysmë nga sot. Ky regjistrim do të rezultojë me të dhëna të shumta që do t’i mundësojnë vendimmarrësve e shfrytëzuesve të tjerë, duke filluar nga qeveria e shoqëria civile, bizneset, donatorët e investitorët, të hartojnë politika, zhvillojnë strategji, programe e produkte, dhe ofrojnë shërbime që i plotësojnë nevojat e qytetarëve.

Politikëbërja e bazuar në të dhëna është e rëndësishme si për nivelin qendror ashtu edhe atë lokal të qeverisjes, sepse mundëson planifikim të mirë, shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të burimeve për arsim, shëndetësi, banim dhe punësim për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e vendit tonë.

Në mënyrë që regjistrimi të realizojë në tërësi objektivat për gjenerimin e të dhënave të plota dhe të sakta, nevojitet një bashkëpunim dhe bashkëveprim i ngushtë ndërmjet Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe komunave të Republikës. Andaj, shfrytëzoj rastin që edhe në këtë takim të bëj thirrje për përkushtim dhe angazhim të përbashkët të të gjithëve në përfundimin me sukses të këtij procesi me rëndësi qenësore për zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë. Cilësia e të dhënave e regjistrimit të popullsisë, amvisërive, bizneseve dhe shumë e shumë përgjigje të tjera që do të merren nga pyetësori i gjatë është vendimtar për cilësinë e qeverisjes sonë si në nivelin qendror, ashtu edhe në tuajin në nivelin lokal. Do të planifikojmë më shumë, do të planifikojmë më mirë, do të zbatojmë më drejt, dhe do të kemi më shumë sukses bashkë.

Së dyti, është çështja e qenve të braktisur dhe endacakë. Ky është një shqetësim që e ndanë çdo komunë dhe për të cilën qeveria ka krijuar grupin koordinues, të udhëhequr nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Strategjia e dalur nga ai grup parasheh disa hapa ndërinstitucionalë, ndër to ndërtimin e strehimoreve dhe zhvillimin e shërbimeve lokale të menaxhimit të qenve. Për momentin grupi punues propozon ndërtimin e katër (4) strehimoreve në katër komuna: në Prishtinë, në Prizren, në Pejë, dhe Gjilan/Kamenicë, të ndërtuara këto bazuar në udhëzimin administrativ aktual. Me këtë rast, ju bëj thirrje që të bashkëpunoni sa më ngushtë me këtë grup koordinues në arritjen e objektivave të synuara, nga të cilat përfitues janë të gjithë.

Tani po ia kaloj fjalën ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, dhe më pastaj do të mund të diskutojmë hapur për këto tema që unë përmenda, por edhe për të tjerat që janë interes i qeverisjes së mirë aktuale dhe i mirëqenies së qytetarëve në secilën komunë të vendit tonë.

Ju faleminderit, e fjala është për juve ministër Krasniqi!