LAJMI I FUNDIT: Persona të panjohur djegin flamurin e Kosovës në Zveçan, nisin hetimet
Disa persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë djegur flamurin e Republikës së Kosovës sot gjatë ditës në afërsi të Komunës në Zveçan, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjalizuesi i Sinjalit nga Veriu, ka bërë me dije se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë parë se flamuri në ballkonin e Shtëpisë së Kulturës është djegur.
Organet e hetuesisë kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, për të zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti dhe për të arritur që të identifikohen personat e dyshuar.
Sinjali ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të marrë më shumë informacione lidhur me rastin, mirëpo të njëjtit s’kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Nxitje e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.