MaqedoniTop Lajme

Ministri i Shëndetësisë për REL – Demiri: Nëse jam ministër pas zgjedhjeve kam plan për klinikat

Shpërndaje

Në këtë periudhë parazgjedhore nuk do të ketë ndryshime në shëndetësi. Kështu ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, në intervistë për Radion Evropa e Lirë  ku thekson se nëse e merr besimin për të vazhduar drejtimin e ministrisë edhe pas zgjedhjeve, do të ofrojë program dhe vizion të qartë për shëndetësinë dhe Qendrat Klinike.

“Si projeksion në të ardhmen se si do të ishte nëse do të kisha mundësi të mbaja këtë post si ministër për më shumë vite, atëherë e vetmja zgjidhje që mund të përmirësojë sistemin shëndetësor është ndërtimi i katër qendrave rajonale dhe grupimi i pacientëve për të marrë sa më shpejtë që është e mundur shërbime shëndetësore, për të ulur kostot dhe për të pasur më shumë shpejtësi nga stafi mjekësor, si dhe shfrytëzimin e ambienteve në dispozicion që tashmë i kemi”, ka deklaruar Ilir Demiri, Ministër i Shëndetësisë.

I pyetur se kur pritet të realizohen 1117 punësimet e nevojshme në Shëndetësi, ministri Demiri tha se për momentin ka përfunduar procedura për pjesën më të madhe të tyre.

“Fatkeqësisht, nuk mund t’ju them një numër të saktë sepse nuk i kam. Por mund të them se është miratuar buxheti dhe ka përfunduar procedura për punësimin e më shumë se 1000 punëtorëve. Meqenëse jemi duke hyrë në një proces zgjedhor, dhe sipas ligjit nuk lejohet punësimi, atëherë vendosen në pritje. Pas zgjedhjeve do të procedohet që ata të punësohen. Çdo drejtor i çdo institucioni shëndetësor duhet të ketë një projeksion se sa punëtorë i nevojiten”, thotë Demiri.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri, foli edhe për punësimet e dyshimta në  Spitalin e Gostivarit, për çka ka theksuar se ka urdhëruar një inspektim dhe nëse ka shkelje të procedurave ligjore, sigurisht që do të veprohet sipas ligjit.