Nesër shpallen zgjedhjet presidenciale, kush janë kandidatët?!
Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski nesër do t’i shpallë zgjedhjet presidenciale, të cilat duhet të mbahen më 24 prill (raundi i parë), ndërsa për momentin janë duke u konsultuar me shërbimet parlamentare nëse ato do të shpallen në në të njëjtën kohë me zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj.
Kështu deklaroi kryetari i Kuvendit, Mitrevski, i cili tha se zgjedhjet presidenciale do t’i shpallë më 14 shkurt, duke konsideruar se ky është obligim që del nga Kushtetuta, përcjell INA. Më herët, Mitrevski bëri të ditur se plani i tij është që zgjedhjet parlamentare t’i shpallë në të njëjtën ditë me zgjedhjet presidenciale.
– Në Kushtetutë shkruhet nga 70 deri në 90 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve. Në fakt raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është 24 prilli, pra 70 ditë më parë është 14 shkurt dhe më pas do të shpallen zgjedhjet presidenciale. Nuk kam marrë ende një vendim nëse zgjedhjet e rregullta parlamentare do të shpallen në të njëjtën ditë. Jam duke bërë disa konsultime me shërbimet në Kuvend. Nëse nuk ka pengesë, pse të mos e bëjë atë në të njëjtën ditë, tha Mitreski në një intervistë për MIA-n.
Sipas njoftimeve të kryeparlamentarit, fushata zgjedhore duhet të fillojë në fillim të muajit prill, ndërsa Kuvendi në përbërjen aktuale politike duhet të funksionojë deri në fund të marsit ose në fillim të prillit.
Ndërkohë, partitë politike ende po mbajnë sekret emrat e kandidatëve që do të garojnë për zgjedhjet presidenciale.
LSDM po kalkulon me disa emra që janë pjesë e anketimeve të brendshme. Presidenti aktual Stevo Pendarovski është emri më i përfolur që pritet të rikandidohet në këtë post dhe që po synon të sigurojë mbështetjen edhe të partive të koalicionit aktual qeverisës. Përpos tij, ka edhe emra tjerë ndër të cilët Oliver Spasovski, Fatmir Bytyqi dhe të tjerë.
Nga VMRO-DPMNE po ashtu nuk kanë bërë të ditur emrin e kandidatit për president. Jozyrtarisht, anketat vendosin në krye të listës Gordana Siljanovskën Davkovën, e cila ishte kandidate përballë Pendarovskit edhe në zgjedhjet e kaluara.
Ndërkohë opozita shqiptare Lidhja Evropiane për Ndryshim por edhe Aleanca për Shqiptarëtakoma bën vlerësimet e saja për kandidatin që duan të propozojnë. Nga LEN deri tani kanë përmendur emrin e kreut të ASH-së, Arben Taravari, por një ditë më parë kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami nuk përjashtoi mundësinë e kandidimit. Përpos tyre, në lojë janë edhe emra tjerë.
Në përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 28 janar të këtij viti, njëqind ditë para zgjedhjeve, u formua Qeveria teknike, kryetar i së cilës është Talat Xhaferi. Ai do ta menaxhojë atë deri në zgjedhjen e një qeverie të re politike.