RajoniTop Lajme

Osmani konfirmon se pas zgjedhjeve në BE, mund të ketë ndërmjetës të ri që e zëvendëson Lajçakun

Shpërndaje

Pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian me shumë gjasa do të ketë edhe ndërmjetësues të ri për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot para gazetarëve, shkruan Reporteri.net.

Osmani ka theksuar se vetë ndërmjetësuesi aktual i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ia ka thënë këtë.

“Në procesin e dialogut janë disa muaj vendimtarë sepse në maj janë zgjedhjet në BE, pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionerë të rinj, zyrtarë të rinj, që do ta marrin përsipër procesin e dialogut. Sipas të gjitha gjasave edhe ndërmjetësues të ri, nga ajo që më është thënë nga Lajçak, i cili e ka mandatin deri diku në gusht”, ka thënë ajo.

Sa i përket procesit të dialogut, Osmani ka ripërsëritur se duhen bindur partnerët ndërkombëtarë se Kosova nuk i ikë obligimeve, e se presioni duhet të bëhet në Beograd.

Në një takim së fundmi me të dërguarin e BE-së, sipas Presidencës, Osmani tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi i saj, të arritura në fillim të vitit 2023, duhet të zbatohen plotësisht.

“Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë”, thuhej në njoftim.

Miroslav Lajçak, në anën tjetër, tha se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës.