Osmani takohet me Ramën: Koordinim në të mirë të Kosovës e Shqipërisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sot mori pjesë në Samitin e Tiranës, “Ukraina dhe Evropa Juglindore”, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Presidentja Osmani ka njoftuar përmes një postimi në platformën sociale “X”.
“Sot në Tiranë në takim me Kryeministrin Edi Rama! Diskutime e koordinim në të mirë të Kosovës e të Shqipërisë”, ka shkruar Osmani.
Ndërsa, kryeministri Rama nuk ka njoftuar për takimin me presidenten Osmani.
Presidentja, Osmani, pas samitit të sotëm Ukraina dhe Evropa Juglindore ka thënë se fitorja e Ukrainës ndaj Rusisë “është fitore ndaj atyre që duan ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të rikthejnë mendësinë e dhunës e shkatërrimit”.
Sipas saj fitorja e Ukrainës “është fitore e lirisë”.
Ajo ka shprehur mbështetjen e pa rezervë të Kosovës ndaj Ukrainës përballë këtij agresioni rus.
“Prandaj Kosova do të qëndrojë me Ukrainën deri në fitore”, ka përfunduar Osmani.