Palestinezët vizitojnë shtëpitë e shkatërruara dhe të djegura në veri të Gazës
Foto: Omar Qattaa / AA
Përderisa vazhdojnë sulmet izraelite në Rripin e Gazës nga toka, deti dhe ajri, ushtria po tërhiqet gradualisht nga pjesët veriore të Gazës, palestinezët po vizitojnë vendet ku dikur ishin shtëpitë e tyre dhe sot nuk ka asgjë tjetër përveç shkatërrim. Shumë prej shtëpive të tyre janë djegur, raporton Anadolu.
Sipas lajmit të gazetës izraelite “Haaretz” të datës 1 shkurt, ushtria izraelite urdhëroi ushtarët e saj të digjnin shtëpitë në Gaza. Në përputhje me këtë udhëzim, ushtarët izraelitë kanë filluar të djegin shtëpitë në Gaza javët e fundit.
Ndërsa ushtria filloi të tërhiqej gradualisht nga veriu i Gazës, shtrirja e shkatërrimit në këto zona u bë e dukshme. Ata që u kthyen në shtëpitë e tyre, prej nga ishin tërhequr ushtarët, u tronditën me atë që gjetën.
Abdurrahman Abu Humeydan, një banor i kampit të refugjatëve Jabalia në veri, është një nga banorët e Gazës, shtëpia e të cilit u dogj.
Duke folur për Anadolu brenda shtëpisë së tij të djegur, Abu Humeydan tha: “Kjo shtëpi kishte disa kate. Familja ime dhe vëllezërit dhe motrat e mia, gra, burra dhe fëmijë, të gjithë jetonin këtu. Ne u befasuam kur pamë shkatërrimin e madh në shtëpi. Ushtarët izraelitë e përdorën shtëpinë si shtab ushtarak pasi mbaruan. Jemi edhe më të habitur që ajo u dogj”.
Ai tha se inxhinierët e sjellë për të ekzaminuar themelet e shtëpisë thanë se shtëpia ishte e papërshtatshme për banim dhe duhej të prishej dhe rindërtohej. “Është më e vështirë për njeriun që të prishë shtëpinë me duart e veta se sa t’ia prishin pushtuesit”, shtoi ai.
Ismail Abu Humeydan tha se shtëpia e tij u bombardua nga ajri, u sulmua nga zjarri i artilerisë tokësore, me tanke dhe më pas u dogj.
“Ne kishim sallon makinash dhe prona të paluajtshme. Tani jemi bërë qiramarrës. Fëmijët e mi shesin ëmbëlsira në anë të rrugës për të mbijetuar. Ata na dogjën gjithçka që kishim. Ne dolëm nga shtëpia pa marrë asgjë me vete. Nuk kemi shtretër, as jorganë, as rroba”, tha Ismail Ebu Humeydan.