Parlamenti gjerman sërish refuzon të dorëzojë raketa ‘Taurus’ në Ukrainë
Ligjvënësit gjermanë kanë hedhur poshtë një mocion për dërgimin e raketave me rreze të gjatë ‘Taurus’ në Ukrainë, pavarësisht presionit në rritje nga Kievi dhe aleatët për të rritur dërgesat e armëve, transmeton Anadolu.
Mocioni, i cili u paraqit nga aleanca e qendrës së djathtë CDU/CSU, u mbështet vetëm nga 181 ligjvënës, ndërsa 480 ligjvënës votuan kundër dhe pesë abstenuan.
Kjo ishte përpjekja e dytë e kristian-demokratëve (CDU/CSU) për të krijuar mbështetje për dërgimin e sistemeve të avancuara gjermane të armëve dhe raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, pasi mocioni i tyre i ngjashëm u refuzua muajin e kaluar.
Kancelari Olaf Scholz ka qenë i kujdesshëm deri më tani në lidhje me dërgimin e raketave ‘Taurus’ në Ukrainë, nga frika se ato mund të përdoren për të sulmuar objektivat në Rusi dhe për ta bërë Gjermaninë një palë në konflikt.
Sot, ligjvënësit nga Partia Social Demokrate (SPD) e kancelarit Scholz dhe partnerët e tyre të koalicionit, të Gjelbrit dhe Partia Demokratike e Lirë (FDP), votuan kundër mocionit të CDU/CSU-së.
Politikania liberale, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, kryetarja e komisionit parlamentar të mbrojtjes, ishte e vetmja ligjvënëse nga koalicioni që votoi në favor të mocionit.
“Nuk dua të akuzohem një ditë se nuk kam bërë gjënë e duhur në momentin e duhur”, tha ajo gjatë debatit në parlament, duke bërë thirrje për dërgimin e raketave ‘Taurus’ për të forcuar aftësitë e ushtrisë ukrainase.