Maqedoni

Pas Bekim Nezirit, u shfuqizuan paraburgimet edhe për të akuzarit tjerë për sulmin në M-NAV

Shpërndaje

Pasi Gjykata e Apelit më 26 janar të këtij viti i shfuqizoi paraburgimet shtëpiake për Bekim Nezirin dhe Almir Ramdedoviqin, sot Prokuroria ka kërkuar që të shfuqizohen paraburgimet edhe për 6 persona tjerë, të akuzuar për me sulmin në hapësirat e Kullës së Kontrollit të Fluturimeve në Shkup në fillim të janarit, njofton Portalb.mk.

Nëpërmjet kumtesës, Gjykata Penale e Shkupit njofton se prokurori i Prokurorisë Themelore Shkup deri te gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale të Shkupit sot dorëzoi propozime për shfuqizimin e masave të sigurisë, gjegjësisht masave të paraburgimit dhe paraburgimit shtëpiak për 6 persona për veprën penale “Rrezikim të sigurisë së komunikacionit ajror”.

“Duke vepruar ndaj propozimit të prokurorit publik, duke i vlerësuar faktet e ofruara, gjykatësit e procedurës paraprake, e kanë pranuar propozimin e prokurorit dhe kanë miratuar vendim me të cilin për A.O., R.B. dhe L.Q. shfuqizohet masa e paraburgimit shtëpiak, ndërkaq për S.SH., O.A. dhe E.S. shfuqizohet masa e paraburgimit dhe u caktohet masë e kujdesit sipas nenit 146 paragrafi 1 dhe 6, gjegjësisht u ndalohet ta lëshojnë vendbanimin. Të njëjtëve u janë marrë pasaportat dhe u është lëshuar ndalesë për pasaportë të re”, thonë nga Gjykata Penale.

Ata shtojnë se të akuzuarve u ndalohet që t’u afrohen ose të vënë kontakt me persona të caktuar.

Kundër këtyre vendimeve, palët kanë të drejtë ankese në Këshillin Penal të Gjykatës penale.

Sulmi i 4 janarit nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror.

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile.

Sulmi ka ardhur pas pakënaqësive në M-NAV, për të cilët sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Pas sulmit, Qeveria i shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimine drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre emëroi Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.