MaqedoniTop Lajme

Taravari nis takimet me strukturat partiake nga Kumanova – Reagon ashpër pjesa tjetër e partisë

Shpërndaje

Të enjten kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari do t’i takojë strukturat e subjektit të tij në Kumanovë, shkruan Alsat.

Në tubimin e mirënjohjes do të bashkohen edhe anëtaret e Kuvendit të cilën janë rreshtuar me përcaktimin e Taravarit.

Takimet fillojnë në Kumanovë, vazhdojnë më 10 shkurt në Gostivar dhe 13 shkurt në Tetovë.

Në njoftimin e publikuar nëpër rrjetet sociale thuhet se pas tubimit, do të ketë mbledhje të anëtarëve të Kuvendit, që sipas asaj që pretendon Taravari janë mbi 80 në numër nga 133 gjithsej sa numëron Kuvendi i ASH-së.

Në njoftimin e Taravarit për takimin e ditës së enjte nuk është potencuar askund se mbledhja e në Kumanovë në fakt është Kuvend i partisë, por grupi që mbështet Ziadin Selën dhe përcaktimin e tij dolën me qëndrimin se në Kumanovë po tentohet të mbahet Kuvend, por nuk mund të jetë i tillë pasi Kuvendin e fton kreu i partisë.

Nënkryetari i ASH-së, Elmi Aziri përmes një reagimi në Facebook ka sqaruar se takimi i të enjtes nuk është dhe nuk mund të jetë Kuvend i Partisë.

“Ajo që duam t’ju bëjmë me dije është që askush nuk duhet të bëhet pre e dezinformatave se mbahet Kuvendi i Partisë, sepse siç do të konkludoni vet edhe nga ftesa, bëhet fjalë për tubim dhe takim”, tha Elmi Aziri, Nënkryetar i ASH-së.

Hakmarrjet mes taborëve brenda ASH-së kanë vazhduar edhe në eshalonët e dyta dhe të treta. Me vendim të Qeverisë, mbrëmë është shkarkuar nga pozita drejtori për investime të huaja, Gazmend Abdiu dhe drejtoresha e Postave të Maqedonisë, Bujare Abazi. Nuk është dhënë asnjë arsyetim për shkarkimet e tyre.

Ndërkohë, pas largimeve nga puna me vendim të drejtorit të Fondit Pensional, Arsim Hasani ditë më parë, dega e Kumanovës e shkarkoi të njëjtin nga pozita e kryetarit. Hasani hodhi poshtë akuzat se shkarkimet kanë prapavijë politike. / Alsat.mk