Maqedoni

Universiteti i Tetovës nënshkroi marrëveshje të reja bashkëpunimi

Shpërndaje

Universiteti i Tetovës dhe Instituti Shkencor i Duhanit në Prilep nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Ky memorandum do të realizohet përmes Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë të Universitetit të Tetovës dhe institutit në fjalë.

Nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe drejtoresha e Institutit Shkencor të Duhanit Prof. Dr. Valentina Pelivanovska, u dakorduan që në mes palëve të bëhet shkëmbimi i informacioneve teknike, literaturës shkencore dhe përvojave në fushën e punës kërkimore – shkencore, të ndërtohet bashkëpunim profesional – shkencor në fushën e hidrobiologjisë, gjenetikës, ndotjes së tokës, materialeve bimore dhe ujit për vaditje, kërkimeve në fushat e sigurimit të ushqimit të shëndetshëm natyror dhe në fusha të tjera shkencore.

Ky bashkëpunim mes tjerash parasheh edhe shkëmbimin e shkencëtarëve dhe ekspertëve; koordinimin dhe zbatimin e hulumtimeve të përbashkëta mbi temat e dakorduara; përdorimin e pajisjeve në laboratorët përkatës; qëndrimet e punonjësve shkencorë në laboratorët përkatës të dy institucioneve; krahasimin ndërlaboratorik; krijimin e projekteve të përbashkëta kërkimore – shkencore; mundësinë për prezantime të përbashkëta të shkencëtarëve nga të dy institucionet në konsultime, simpoziume dhe manifestime të tjera; botimin e publikimeve të veçanta ose periodike që lidhen me interesa të përbashkëta, përkatësisht me aktivitete; organizimin e kongreseve, simpoziumeve, seminareve, punëtorive, tubimeve të tjera shkencore dhe profesionale me tema me interes të përbashkët, si dhe shumë aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me bujqësinë dhe bioteknologjinë.

Në takimin që zhvilloi Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli me drejtoreshën e Institutit Prof. Dr. Valentina Pelivanovska, të pranishëm ishin edhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi, udhëheqësja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar Doc. Dr. Hatibe Deari-Zeqiri, dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologisë Prof. Dr. Bardhyl Limani, profesoresha e këtij fakulteti Doc. Dr. Zejnedije Ademi dhe Valmisa Novi – udhëheqësja e kabinetit të Rektorit.