Ambasada e SHBA-së: Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, e para në rajon
Ambasada amerikane në Shqipëri ka shprehur vlerësimet për shtetin shqiptar për hapjen e bazës së parë ajrore të NATO-s në rajonin e Ballkanit, atë të Kuçovës.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada amerikane shkruan se hapja e bazës së NATO-s në Kuçovë është një gur kilometrik që tregon përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj parimeve të NATO-s në mbrojtjen e lirisë.
“Urime Shqipërisë për inaugurimin e bazës së parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Ky gur kilometrik ilustron përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj parimeve të NATO-s për të mbrojtur paqen, lirinë dhe demokracinë duke iu kundërvënë kërcënimeve përmes parandalimit dhe mbrojtjes”.
“I ngarkuari me Punë David Wisner iu bashkua Presidentit Bajram Begaj, Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe zyrtarëve të tjerë shqiptarë dhe të NATO-s gjatë ceremonisë së hapjes sot në Kuçovë”.
“Wisner përgëzoi angazhimin e Shqipërisë për modernizimin e ushtrisë së saj dhe përmbushjen e angazhimeve thelbësore të mbrojtjes të NATO-s si mburojë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Si aleatë në NATO, ne qëndrojmë të bashkuar dhe të fortë”, shkruan Ambasada e SHBA në Facebook.
Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë u inaugurua sot ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit shqiptar, ministrat e Mbrojtjes të Italisë e Turqisë, ambasadorë të huaj në vendin tonë dhe zyrtarë të NATO-s.