Maqedoni

Disa markete brenda natës i rritën çmimet, ankesa nga qytetarë

Shpërndaje

Pas heqjes së masave kufizuese të çmimeve nëpër markete në Maqedoninë e Veriut, qytetarët ankohen për rritje drastike të çmimeve.

“Po dy ditët e fundit kemi hasur rritje edhe të disa produkteve bazë si produktet e miellit, qumështit, fasulja, orizi, pemët e perimet tjera, por rritje të çmimeve në rafte kemi parë edhe tek pijet”, thotë për INa një qytetar.

Sipas tij, rritja shkon nga 10 deri në 50 denarë varësisht nga produktet ushqimore.

Por, ka qytetarë që thonë se nuk vërehet ndonjë rritje e madhe.”Nuk kemi parë ndonjë dallim të madh, por ta shohim ditët në vijim. Nuk duhet të ketë rritje çmimesh sepse nuk ka rritje rroge dhe standardi jetësor”, thekson një qytetare në Shkup.

Nga 1 marsi tregtarët lirisht mund të formojnë çmime për bukën, prodhimet e qumështit, mishin, pastat, miellin, vezët, pijet joalkoolike kurse skadoi edhe afati i vendimit qeveritar për uljen e cmimeve për importin e perimeve.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi deklaroi se çdo rritje e palogjikshme e çmimeve të produkteve ushqimore nga 1 marsi, do të sanksionohet.

Ai pret që inspektorati i tregut të jetë në terren dhe të reagojë në mënyrë të duhur ndaj, siç thotë ai, çdo rritje të çmimeve.