Edi Rama: Synojmë ndërtimin e një qendre gazi natyror në Vlorë
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar se po synohet ndërtimi i një qendre të gazit natyror të lëngshëm në Vlorë.
Gjatë punimeve të Samitit të 10-të të Korridorit Jugor të Gazit në Baku, Rama theksoi se është drejt përfundimit studimi i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës, ndërkohë që ka nisur investimi për vënien në punë e zgjerimin e kapaciteteve të këtij të fundit.
“Aktualisht në Shqipëri po kërkojmë të ecim përpara drejt projektit të gazifikimit të vendit dhe falë mbështetjes së presidentit Aliyev kemi nisur këtë proces gazifikimi duke shkuar kundër asaj që në traditën tonë historike që na ishte privuar”, u shpreh Rama.
Ai kujtoi se Shqipëria ka qenë një vend krejt i izoluar nga perëndimi dhe lindja. “Jetonim në një Kore Veriu në mes të Europës dhe praktikisht të gjitha sistemet tona, nga sistemet e gazit, në sistemet hekurudhore ishin thuajse joekzistuese dhe tërësisht të shkëputura nga pjesa tjetër e botës”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “kjo është edhe arsyeja pse e vlerësojmë shumë këtë kapitull të ri në procesin tonë të zhvillimit”.
“Marco Polo përshkruante sesi Baku ishte e bekuar me puse nafte dhe sesi nafta nxirrej, përdorej për ndriçim e për shërim. Por ishte vetëm viti 1877 kur Charles Marvin dha prova të pakundërshtueshme me se kohë përpara se të lindte Krishti gazi eksportohej nga gadishulli Abskeronit ku gjendet Bakuja në territoret e Irakut, Iranit, Indisë moderne dhe vendeve të tjera. Dje pasuria e pamatë e Bakusë mbështeti epokën e artë të civilizimeve aziatike dhe europiane”, tha Rama.
Tashmë, kryeministri nënvizoi se të njëjtat burime, të njëjtat fusha gazi kanë potencialin të çelin një epokë të re për vendet tona.
“Një epokë të një bashkëpunimi shumëpalësh, të një paqe që zgjat e përparimi që mbështetet në shkarbonizim dhe furnizime me energji të qëndrueshme”, theksoi ai.