Hapet baza ajrore e Kuçovës, Rama: Po punojmë ngushtësisht me aleancën edhe për bazën e Porto Romanos
Që nga hera e fundit, që në këtë pistë të bazës ajrore të Kuçovës ishte ulur një avion ushtarak, kanë kaluar 19 vjet, kur MIG-ët e Forcave të Armatosura stërvitnin pilotët e rinj.
Ulja e dy avionëve Eurofight shënoi zyrtarisht kthimin në një bazë taktike të NATO-s, pasi Aleanca investoi 50 milionë Euro.
Inaugurimi vjen në një vit simbolik për Shqipërinë që feston 15 vjetorin e anëtarësimit në NATO dhe për vetë Aleancën që ka përvjetorin e 75 të krijimit.
Veç përfaqësuesve më të lartë të shtetit e shumicës qeverisëse nuk munguan dhe përfaqësues nga opozita, por në ceremoninë zyrtare morën pjesë dhe drejtues të Aleancës dhe ministra të vendeve anëtare të NATO-s si dhe përfaqësues të trupit diplomatik.
Të gjithë ndanë të njëjtin qëndrim se investimi në këtë aeroport, tregon jo vetëm vlerësimin e Aleancës për Shqipërinë, por dhe për rëndësinë strategjike që ka kjo bazë për të gjithë rajonin.
“NATO nëpërmjet këtij investimi tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën”, tha Presidenti Begaj.
“Përurimi i kësaj baze është fryt i një rrugëtimi aspak të lehtë dhe vjen në një moment ndryshimesh të thella dhe të shpejta në arenën ndërkombëtare”, tha ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.
“Përfshirja e Shqipërisë në mbrojtjen ajrore të NATO-s është simbol i kontributit të saj në aleancë”, tha Juan Pablo Sanchez de Lara, komandant i NATO CAOC, Terrejon.
“Shqipëria është e vlerësuar në mbrojtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha David Wisner, i ngarkuri me punë i Ambasadës Amerikane.
Në bazë u vendosën edhe 3 dronët Bajraktar dhe 2 helikopterë Blackhaëk. Ministri i Mbrojtjes premton të tjera investime për shtimin e kapaciteteve ushtarake.
“Numri i tyre do të shtohet ndjeshëm në një të ardhme të afërt”, tha ministri Peleshi.
Kryeministri Rama nënvizoi se kërcënimet e aktorëve si Rusia vijojnë të jenë realë për rajonin, ndaj baza e Kuçovës ka rëndësi për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
“Është një rajon jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”, tha Rama.
Por sipas tij edhe mundësia e një baze detare të NATO-s në Porto Romano, nuk është një ide e parealizueshme.
“Jemi shumë besimplotë që së shpejti do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës”, tha Rama.
Mbylljen e ceremonisë e shënoi një spektakël ajror me dy avionët e ulur në pistë dhe dy avionë të tjerë F-16, të nisur nga baza e Avianos në Itali, të cilët fluturuan për herë të parë në qiejt e Shqipërisë.
Baza Kuçovës është ndërtuar në vitin 1955, si baza e parë ajrore shqiptare. Kthimi në një bazë taktike dhe stërvitore të NATO-s e bën atë të vetmen e këtij lloji në rajon. Ajo do t’u japë mundësinë mjeteve ajrore të aleancës të dislokohen gjatë operacioneve strategjike në Ballkanin Perëndimor.
Tv Klan