Kritikat e ndërkombëtarëve, Kurti: Të mirëseardhura, por duhet ta mbroj Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një bisedë për podcastin “Rest is Politics” me Alastair Campbellin dhe Rory Ste]artin foli për tema të ndryshme, ndër to edhe për çështjen e kritikave që po merr nga aleatët ndërkombëtarë e po ashtu edhe për periudhën që kishte kaluar si i burgosur politik nga viti 1999.
Kurti për kritikat që ka marrë nga SHBA-ja e Bashkimi Evropian për çështjen e “dinarit”, ka thënë se janë të mirëseardhura.
“Së pari nuk më pengojnë kritikat…Kritikat janë të shëndetshme. S’ka progres pa kritika. Mund të mos pajtohemi, por SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe janë aleatët tanë, miqtë dhe partnerët tanë. Nuk do të thotë se bashëpunimi ynë është rrugë njëkahëshe. Duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin. Dhe në këtë kuptim, besoj se duhet ta mbroj Kosovën, duhet ta përfaqësoj më mirë edhe se aleatët tanë. Nuk do të isha kryeministër nëse Kosova s’do të ishte Republikë dhe nuk është vetëm pjesërisht e njohur, por nga 117 shtete nëpër botë, 22 nga 27 shtete anëtar të BE-së dhe 26 nga 30 shtete anëtare të NATO-s…Po ashtu Kosova e ka marrë organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 së bashku me Durrësin”, tha Kurti.
Për periudhën e kaluar në burg, Kurti ka përshkruar torturuat, por edhe se si ajo periudhë e ndihmoi të mësonte të lidhej me njerëz që vinin nga fshati dhe se më pas kjo e çoi te krijimi i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka treguar se si ishte dënuar me 15 vjet burgim, por i mbajti 2 vjet e 7 muaj, fillimisht në Lipjan e më pas u transferua në Pozharec.
Ai thotë se në fillim i kishin kërkuar informata, por më pas thjeshtë e mbanin nga zemërimi që kishin me bombardimet e NATO-s.
“Thoshin se do të paguani se çfarë po na bën ne NATO-ja. Pa menduar se çfarë bën ata që NATO-ja po i bombardonte”, tha Kurti.
Kurti për torturat në burgjet serbe: Humba vetëdijen 40 herë, s’besova se do të dilja gjallë
Kurti ka treguar se si nuk e besonte se do të dilte gjallë nga burgu.
“E humba vetëdijen afro 40 herë gjatë torturave, pra nuk kishte as gjasa të imagjinoja se do të dilja gjallë. Atje po na rrihnin të gjithë të burgosurve shqiptarë, nuk isha vetëm unë. Kishte mijëra shqiptarë. Për të mbijetuar nga torturat duhet të kesh edhe fat. Pashë njerëz që vdiqën pas 5 minutave të rrahjeve e torturave, e pashë njerëz, këtu përfshihem edhe unë, që u rrahëm shumë e dolëm gjallë. Nuk ishte në dorën tonë”, ka thënë Kurti.
Kurti ndër të tjera ka thënë se beson që presidenti rus Vladimir Putin qëndron “prapa vrasjes së liderit opozitar rus Alexey Navalny”.