RajoniTop Lajme

KURTI: Kompani nga diaspora jonë në Zvicrër, Gjermania dhe Kosova është shpallur sot fituesi i ankandit të parë solar në Republikën e Kosovës

Shpërndaje

Me çmim 48.88 euro për MWh, konzorciumi “Orllati” me kompani nga diaspora jonë në Zvicrër, Gjermania dhe Kosova është shpallur sot fituesi i ankandit të parë solar në Republikën e Kosovës, në një proces konkurrues e transparent, me një çmim të favorshëm për ndërtimin e centralit solar prej 100 megavatëve, në Kramovikë të Komunës së Rahovecit.

Në ngjarjen e organizuar nga Ministria e Ekonomisë, me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili fjalën e tij para të pranishmëve e nisi duke përmendur pesë kompanitë konkurruese nga Franca, Turqia, Egjipti dhe Zvicra e Kosova, të gjitha lidere të sektorit, që siç tha ai, asnjëra aty nuk ishte rastësisht.

Ky proces që ka filluar në vitin 2022 sot u përmbyll me sukses, tha kryeministri Kurti. Ai vlerësoi se rezultatet e kësaj pune tashmë po i gëzojmë, jo vetëm me përmbylljen e ankandit tonë të parë, por me përforcimin e statusit të vendit tonë, si destinacion i preferuar për investime në energji, falë politikave stabile e ambientit të sigurt për të bërë biznes.

“Kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti. Çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike, si dhe të përmirësimit të mirëqenies sociale”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se si Qeveri synojmë e punojmë të krijojmë një sektor energjetik që është i sigurt, që e vendosë qytetarin e Republikës në qendër, e që ecë në hap me zhvillimet botërore dhe se ankandi solar 100 megavatësh është pikërisht pasqyrim i këtyre synimeve.

Me shtimin e 100 megavatëve të ri në prodhimin e energjisë, kryeministri Kurti veçoi se me to ulim varësinë nga importi i shtrenjtë i energjisë elektrike, ku për t’i realizuar kapacitetet, kompania fituese do të investojë mbi 70 milionë euro.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Ankandi Diellor prej 100 megavatëve, të cilin e përmbyllin sot, është i pari proces i tillë konkurrues, që vendos një gurthemel të sektorit të ri të energjisë në Kosovë.

“Qëllimi ynë ishte që të kemi një projekt të madh, ashtu që të sigurohemi se ekonomia e shkallës do të garantonte një çmim sa më të volitshëm të energjisë për qytetarë tanë”, theksoi ministrja, duke shtuar se është insistuar që ankandi të bëhet në tokë publike, në lokacion specifik të paracaktuar, ashtu që secilit t’i jepet mundësia e barabartë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari zëvendëskryeministër, Besnik Bislimi,

E nderuara ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,

E nderuara Ushtruese e Detyrës së Drejtorit të USAID-it në Kosovë, Kerry Monaghan Hogler,

Të nderuar përfaqësues të kabinetit qeveritar, ministra, zëvendësministra,

Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera në Kosovë,

I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, z.Petrit Malaj,

I nderuri kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi,

Të nderuar përfaqësues të kompanive ofertuese në ankandin tonë të parë solar,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Dua të filloj pikërisht me kompanitë. Pesë kompani nga Franca, Turqia, Egjipti dhe Zvicra e Kosova, të gjitha lidere të sektorit, asnjëra këtu rastësisht.

Përgjatë më se një viti, institucionet e Republikës së Kosovës të udhëhequra nga Ministria e Ekonomisë, kanë punuar me mund e me nder për të zhvilluar një proces transparent, të drejtë e të barabartë.

Rezultatet e kësaj pune tashmë po i gëzojmë. Jo vetëm me përmbylljen e ankandit tonë të parë, por me përforcimin e statusit të vendit tonë, si destinacion i preferuar për investime në energji, falë politikave stabile e ambientit të sigurt për të bërë biznes.

Kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti. Çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike, si dhe të përmirësimit të mirëqenies sociale.

Për ne, zhvillimi i megavatëve është edhe pasqyrë e parimeve të qeverisjes. Si Qeveri synojmë e punojmë të krijojmë një sektor energjetik që është i sigurt, që e vendosë qytetarin e Republikës në qendër, e që ecë në hap me zhvillimet botërore.

Ankandi solar 100 megavatësh është pasqyrim i këtyre synimeve.

Themi, për një sektor energjetik të sigurt sepse po i shtojmë 100 megavat të ri në prodhimin tonë të energjisë. Me to ulim varësinë nga importi i shtrenjtë i energjisë elektrike e për t’i realizuar kapacitetet kompania që del fituese sot do të investojë mbi 70 milionë euro.

Themi, për një sektor energjetik që vendosë qytetarin në qendër të tij, sepse me zgjedhjen e procedurës konkurruese jemi siguruar që do të nxjerrim çmimin më të ulët për blerjen e energjisë. Kjo energji do të jetë e pastër e do të mbrojë mjedisin dhe shëndetin e secilit. E parkun solar kemi vendosur ta ndërtojmë në tokë publike, sepse publikes do t’i shërbejë.

Dhe, po themi, për një sektor energjetik që ec në hap me zhvillimet botërore, sepse përmes tij po ndërtojmë një ndër parqet solare më të mëdha në Evropë. E për herë të parë në rajonin tonë, po zhvillojmë një proces si ky i sotmi ku çmimet do të jepen në kohë reale e me transparencë të plotë.

E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin e palodhshëm të Ministrisë së Ekonomisë, institucioneve të tjera publike të përfshira, dhe bashkëpunimit me asistencën e çmuar të ofruar nga USAID. Dua të ju përgëzoj secilën e secilin që keni kontribuar.

Duke promovuar profesionalizmin dhe respektimin e praktikave më të mira të prokurimit, kemi hapur rrugën për realizimin e pakos tonë investive për ndërtimin e kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme. Ato përfshijnë 950 megavatë në vlerë prej 1.2 miliardë eurosh, e që fillojnë me ankandin tonë të parë. Me suksesin e ankandit tonë të parë.

Ndonëse sot vetëm njëra kompani do të dalë fituese, ju bëj ftesë të gjitha kompanive tjera që të qëndrojnë me ne, e të realizojmë bashkë projektet e ardhshme. Po aq tërheqëse, po aq të rëndësishme.

Dhe unë nuk po e zgjas më shumë meqenëse fjalimin kryesor e ka ministrja Artane Rizvanolli, fjalën kryesore e ka Komisioni Vlerësues e për dallim nga burimet e ripërtëritshme, koha që shkon nuk është e tillë.

Ju falemnderit, e shihemi në ankandin e radhës!