RajoniTop Lajme

Seancë solemne e Kuvendit në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Shpërndaje

Në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancë solemne.

Pas intonimit të himnit kombëtar dhe atij shtetëror, si dhe nderimit me një minutë heshtje për të rënët për liri, seanca solemne të Kuvendit u pasurua me performancën e artistëve të njohur, Ilir Shaqiri dhe Shkurte Fejza, dedikuar Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke falënderuar familjen Jashari, sakrificën e tyre dhe prezencën e të gjithë të pranishmit në seancë solemne, rikujtoi se muaji mars rikthen në vëmendje periudhën më të lavdishme të historisë së popullit që lidhet me përpjekjet e qytetarëve për liri dhe shtet.

“Marsi është muaji i skalitur në analet e luftës së kombit tonë për liri, një muaj ku shpirti i paepur i Adem Jasharit dhe UÇK-së i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidial të Millosheviqit”, tha ndër të tjera presidentja Osmani.

Duke përmendur radhazi të rënët për liri nga familja Jashari më 5, 6, 7 mars 1998, presidentja Osmani tha se sakrificat e tyre treguan heroizëm duke mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre që simbolozonte të gjithë Kosovën.

“Familja Jashari udhëhoqi betejën për liri, prandaj për stoicizmin, përkushtimin dhe heroizmin e dëshmuar, ne i detyrohemi Komandantit Legjendar me familje dhe secilit luftëtar, veteran dhe invalid të UÇK-së, me mirënjohje të përhershme”, theksoi Osmani.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se data 5, 6, 7 mars 1998 është rikujtim i kohës kur populli i Kosovës bëri një kapërcim të madh në rrugën e tij të gjatë për liri.

“Epopeja e UÇK-së, përkatësisht historia e luftës së armatosur e familjes Jashari nga Prekazi dhe gjithë atyre që ecën bashkë me ta dhe pas tyre në rrugën e çlirimit, përmbledh një trashëgimi të madhe politike, kulturore dhe kombëtare, nga e cila ka ardhur liria e Kosovës dhe mbi të cilën është ndërtuar edhe vet shteti ynë”, potencoi kryeministri Kurti.

Duke theksuar se rezistenca e familjes Jashari është unike në vetvete, i pari i Qeverisë theksoi se kjo rezistencë është produkt i natyrshëm i kulturës së kryengritjes së heronjve dhe luftëtarëve vullnetarë, që luftuan në mbrojtjen e trevave të trojeve shqiptare.

“Adem Jashari është emër i përveçëm i njeriut, me të cilin ne mund t’i referohemi lirisë sonë. Lavdi dhe mirënjohje të pafund për familjen Jashari, UÇK-në dhe gjithë dëshmorët e kombit”, përmbylli fjalimin e tij kryeminsitri Kurti.

Me një fjalë rasti, kësaj seance solemne iu adresua edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke çmuar dhe lartësuar sakrificën e madhe të familjes Jashari dhe heronjve të tjerë për liri.

“Themelet e lirisë sonë rrinë të patundura mbi gjakun e dëshmorëve, andaj Kosovës nëpër vena i rrjedhë gjaku i dëshmorëve. Rënia heroike e Jasharëve i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse Ushtria e Kosovës, e njësuar me popullin, e çliroi atdheun tonë nga Serbia”, tha kryeparlamentari Konjufca.

Duke kujtuar se pavarësia e Kosovës është rezultat i rënies heroike të dëshmorëve dhe sakrificës së pamatshme të tyre, kryetari Konjufca theksoi se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz, e do të frymëzohet, aty ku u ngjiz liria.

“Sakrifica madhështore e Jasharëve na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lart të dinjitetit dhe krenarisë”, tha ndër të tjera kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Seancën solemne vijoi me fjalimet e përfaqësuesve të grupeve parlamentare.

Në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendose, deputetja Shqipe Selimi tha se lavdia, përkushtimi dhe sakrifica e Jasharajve do të kujtohen me zemrën plot dhe me krenari. Duke theksuar se kujtimi për Epopenë e UÇK-së po mbetet i freskët, deputetja Selimi tha se nderimi për heronjtë tanë vetëm sa po rikuptimësohet pambarimisht.

“Atdheu dhe liria janë amaneti i Adem Jasharit dhe i dëshmorëve të lirisë. Këtë amanet duhet të jemi gati ta ruajmë me jetën tonë”, theksoi deputetja Selimi.

Deputeti Abelard Tahiri, në emër të GP të PDK-së, tha se lufta heroike e familjes Jashari shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në tërë historinë e kombit shqiptar, që e ndanë epokën e durimit nga epoka e kryengritjes.

“Lufta heroike e familjes Jashari është kthesa ku merr kah tjetër e tërë historia e mëpastajshme e Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi në Ballkan”, tha deputeti Tahiri.

Tahri tha se mbi gjakun e Jasharajve, dëshmorëve të tjerë, martirëve dhe invalidëve të Kosovës është ngritur shteti i lirë dhe i pavarur, duke shtuar se Kosova pastaj me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë u bë me institucione, me njohje ndërkombëtare dhe me aleatë të fuqishëm, andaj duhet të punohet fuqishëm në amanetin e dëshmorëve të vendit.

Deputeti Anton Quni, në emër të GP të LDK-së, tha se datat 5, 6, 7 mars janë data të përjetshme shqiptare, ngase krisma e pushkës së komandantit Adem Jashari, ishte vet krisma e pushkës së lirisë dhe pavarësisë.

“Ne përkulemi para veprës hyjnore të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes heroike Jashari. Ne jemi faqebardhët e lirisë dhe pavarësisë sonë, të cilën e ka vulosur vepra e familjes së madhe shqiptare, familja Jashari”, tha deputeti Quni, duke shtuar se shembulli i familjes Jashari është shembull për të gjithë dhe që ajo ditë e rënies, shtëpia e Jasharëve është bërë shtëpia e çdo shqiptari dhe familja e tyre u bë familje e krejt shqiptarisë.

Në emër të GP të AAK-së u adresua deputeti Besnik Tahiri, duke nderuar heroizmin dhe sakrificën e familjes legjendare, familjes Jashari.

“Datat 5, 6, 7 mars shënojnë kthesën e madhe për Kosovën, aty ku ndryshoi ora e historisë dhe aty ku u bë një epokë”, tha deputeti Tahiri.

Duke përmendur se shtëpia e Jasharajve ishte pikëtakimi i heronjve për liri, deputeti Tahiri theksoi ky vend ishte kthyer në qendër të rezistencës dhe frymëzimit të atdhetarëve të UÇK-së. Në datat 5, 6, 7 mars, shtoi Tahiri, u ndërtua një bosht i fortë i dashurisë, i sinqeritetit, i miqësive dhe i besës.

Nga Grupi Multietnik fjalën e mori deputeti Enis Kervan, duke rikujtuar dhe nderuar peshën historike të 5, 6, 7 marsit të vitit 1998.

“Populli i Kosovës arriti me shumë mund dhe vështirësi lirinë që erdhi me çmim shumë të lartë, me humbje jetësh dhe me sakrificë e ideal shekullor. Kapitulli më domethënës në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, ishte lufta e UÇK-së”, theksoi deputeti Kervan.

Duke përmendur se heroizmi i familjes Jashari është inspirimi më i madh i rinisë së Kosovës, deputeti Kervan tha se gatishmëria dhe sakrifica e familjes Jashari kanë qenë fanar i jetësimit të idealit për të jetuar të lirë, me dinjitet dhe me vlerat e demokracisë.

Kryeparlamentari Konjufca përmbylli seancën solemne me nderimin për dëshmorët e kombit dhe duke falënderuar në mënyrë të veçantë Rifat Jasharin, anëtarët e tjerë të familjes Jashari, si dhe të gjithë të pranishmit e tjerë.