Sot shqyrtohet raporti për Kosovën në Këshill të Evropës
Sot do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE, teksa në Kosovë presin që raporti të marrë dritën e gjelbër dhe të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.
Inkuadrimi i Kosovës në këtë trup është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.
Këshilli i Evropës – ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim më 2022 – është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.
Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg të Francës, bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.
Me raste, vendet duhet t’i ndryshojnë ligjet e tyre, apo të bëjnë çfarëdo ndryshimesh tjera, në mënyrë që një shkelje e evidentuar të mos përsëritet më.