Stoltenberg: Ukraina më afër anëtarësimit në NATO se kurrë më parë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duket se ka hudhur poshtë thirrjen e Papa Françeskut që Ukraina “të ngrejë flamurin e bardhë”, duke thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka në dorë opsionin për t’i dhënë fund luftës menjëherë.
“Ukraina është më afër anëtarësimit në NATO se kurrë më parë”, tha Stoltenberg.
Komentet e tij erdhën pasi ai shpalli “ditë historike” për aleancën momentin kur flamuri i Suedisë u ngrit jashtë selisë së NATO-s, duke shënuar kështu fundin e më shumë se 200 viteve neutralitet nga vendi nordik, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Në një kundërpërgjigje të dukshme ndaj komenteve të Papës, Stoltenberg tha se “dorëzimi nuk është paqe” për Ukrainën, duke theksuar se vetëm presidenti rus e ka fuqinë për t’i dhënë fund luftës.
I pyetur nëse Ukraina do të marrë së shpejti një ftesë nga NATO, ai tha: “Ukraina do të bëhet aleate e NATO-s. Pyetja nuk është nëse, por kur”.
Sa i përket anëtarësimit të Suedisë, ai i vlerëson aftësitë e mbrojtjes së vendit nordik duke e konsideruar si “aleate shumë të përkushtuar”.
Megjithatë, Suedia ka shprehur dëshirën që të mos pajiset me armë bërthamore, vendim ky që me sa duket po “respektohet plotësisht” nga aleanca.
Sipas sekretarit, zgjerimi i fundit i aleancës “dëshmon se dera e NATO-s është e hapur”. Telegrafi/