Maqedoni

Taravari fton të gjithë kundër kandidatët e tij në debat publik mbi migracionin në Maqedoni të Veriut

Shpërndaje

Kandidati për president, Arben Taravari fton të gjithë kundër kandidatët e tij në debat publik mbi migracionin në Maqedoni të Veriut. Taravari duke shpalosur shifra të cilat sipas tij përkojnë me numrin e qytetarëve të larguar nga vendi viteve të fundit, kërkoi nga të gjithë kundër kandidatët që të shtunën në Tetovë të marrin pjesë në debatin kushtuar këtij fenomeni.

“Vetëm gjatë periudhës 2011-2019 nga Maqedonia e Veriut kanë ikur 700 mijë njerëz. Vetëm në vitet 2021-2022 rreth 85 mijë njerëz kanë ikur në Gjermani. Prandaj unë mendoj të ftoj një debat publik në Tetovë për ditën e shtunë i cili do të mbahet në orën 12. I ftoj të gjithë kandidat të marrin pjesë dhe të jenë aktiv në këtë debat”, u shpreh Arben Taravari, Kandidat për president.

Fjalimi i plotë:

Siç kam paralajmëruar tanimë në disa paraqitje televizive, do t’i shfrytëzoj javët në vijim deri në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, për t’i dëgjuar dhe konsultuar qytetarët rreth prioriteteve që do t’i shtyj përpara si President i ardhshëm i vendit.

Ramazani është një muaj reflektimi, ku duke u fokusuar në besimin tonë, duhet të forcojmë ndjenjat e solidaritetit dhe mbështetjes në komunitetin tonë, duke diskutuar si mund të punojmë së bashku për t’i tejkaluar sfidat që na prekin si shoqëri.

Dhe ku ka sfidë më të madhe për shoqërinë tonë dhe familjet tona sesa plaga e emigrimit që ndan familjet dhe na largon nga më të dashurit tanë?

Vetëm gjatë periudhës 2011-2019, sipas burimeve qeveritare, nga Maqedonia e Veriut janë larguar 700.000 qytetarë, apo çdo i katërti qytetar. Këto të dhëna janë konfirmuar me regjistrimin e popullsisë të vitit 2021, ku, për shembull, Gostivari im del se ka humbur 36% të popullatës. Pra, për dy gostivaras në vendlindje, kemi një në mërgatë.

Ky trend është rritur tejmase gjatë 5 viteve të fundit. Sipas disa të dhënave të publikuara nga Instituti Arbën Xhaferi, vetëm në vitin 2021 dhe 2022, 85.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë larguar drejt Gjermanisë, kryesisht njerëz të rinj dhe të kualifikuar. Pra, jemi duke humbur me shpejtësi të hatashme pjesën më vitale të shoqërisë sonë, me pasoja afatgjata për fuqinë punëtore, për zhvillimin dhe për perspektivën ekonomike të vendit.

Kjo murtajë duhet ndalur sa nuk është bërë vonë. Duhet vepruar tani duke diskutuar bashkërisht se si do t’i qasemi këtij problemi ekzistencial të vendit tonë.

Me këtë qëllim, do të organizoj një tribunë publike mbi temën e parandalimit të emigrimit. Tribuna do të mbahet të shtunën, ora 12.00, në Komunën e Tetovës.

Shfrytëzoj rastin t’i ftoj publikisht të gjithë kandidatët për president që të marrin pjesë në këtë tribunë, e cila trajton një temë që vërtetë i tangon qytetarët. ⁠Urdhëroni, ju ftoj të diskutojmë mbi këtë temë prioritare për të gjithë ne dhe pres që secili kandidat t’i përgjigjet ftesës pozitivisht.