Maqedoni

Taravari sqaron katër shtyllat kryesore të programit të tij në zgjedhjet presidenciale

Shpërndaje

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari në intervistën e tij për TV Klan Maqedoni, mes tjerash foli mbi programin e tij në zgjedhjet presidenciale.

“Programi ynë përmban katër shtylla kryesore. E para është integrimi në Bashkimin Evropian. Padyshim, Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç vazhdimit të rrugës evropiane dhe këtu do të jemi këmbëngulës dhe këtu do të jetë pika kryesore me të cilën do të mundohemi ta marrim mbështetjen e të gjithë qytetarëve, pavarësisht etnive. Shtylla e dytë e programit janë ndryshimet kushtetuese. Ne këtu do të jemi insistues sepse për të filluar negociatat me BE-në, domosdoshmërisht në Preambulën e Kushtetutës së RMV-së t’i vendosim edhe bullgarët dhe disa etni tjera”, u shpreh Taravari.

Sipas Taravarit, ndryshimet kushtetuese janë moment për të hapur debat brenda dy etnive më të mëdha shqiptarët dhe maqedonasit, por jo vetëm, për zgjedhjen e presidentit përmes Kuvendit me 61 vota me të drejtën e Badenterit në mënyrë që shqiptarët të jenë pjesë e vendimmarrjes. Për kreun e ASH-së, edhe 20% për gjuhën shqipe është kusht i domosdoshëm për ta hequr kur të hapet Kushtetuta.

“Më pëlqeu ideja e Pendarovskit, presidentit aktual të Maqedonisë së Veriut, i cili deklaroi para 6 muajve se Maqedonisë i duhet një Kushtetutë e re”, u shpreh Taravari duke shtuar se në vitin 1991 shqiptarët nuk morën pjesë në përpilimin e Kushtetutës, kurse edhe me ndryshimet e vitit 2001, nuk është ajo Kushtetutë që duhet.

Kreu i ASH-së, Arben Taravari theksoi se shtylla e tretë është shteti i së drejtës.

“Shtylla e tretë i programit është shteti i së drejtës. Lulëzimi dhe zhvillimi i korrupsionit dhe krimit në Maqedoni është i pakontestueshëm. Në qoftë se se ambasadorja e partnerit tonë strategjik të SHBA-ve thotë se në Maqedoni ka epidemi të korrupsionit, ky është sinjal që duhet të na zgjojë të gjithëve, ndërsa për të zvogëluar krimin dhe korrupsionin janë dy mënyrë. E para është funksionimi i shtetit të së drejtës dhe e dyta është digjitalizimi”, deklaroi Taravari duke sqaruar se shtylla e katërt është bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal.