BotaTop Lajme

Zyra e mediave në Gaza: Izraeli kërcënon të shkatërrojë kompleksin mjekësor Al-Shifa me shumë njerëz brenda

Shpërndaje

Zyra e mediave në Rripin e Gazës ka bërë të ditur se ushtria izraelite kërcënoi të shkatërrojë kompleksin mjekësor Al-Shifa në veri të enklavës brenda të cilit ndodhen ekipe mjekësore dhe shumë pacientë, transmeton Anadolu.

“Ne morëm dëshmi nga brenda kompleksit mjekësor Al-Shifa që tregonin se ushtria okupatore izraelite kërcënoi personelin mjekësor dhe njerëzit e zhvendosur që strehoheshin atje se do të shkatërronte ndërtesat e spitalit me ta brenda”, tha zyra për media.

Në njoftimin e zyrës për media theksohet se ushtria kërkoi që palestinezët brenda spitalit “të dalin për torturë, hetim dhe ekzekutim”.

Izraeli për herë të parë sulmoi spitalin Al-Shifa, objektin më të madh mjekësor në territorin që strehon mijëra pacientë dhe njerëz të zhvendosur, nëntorin e vitit të kaluar, duke argumentuar se grupi palestinez Hamas e përdori atë si qendër komandimi, ndërsa sulmi i fundit filloi të hënën.

Zyra për media e autoriteteve në Gaza dënoi “krimin e organizuar” që ushtria izraelite vazhdon të kryejë “me gjithë brutalitetin dhe hakmarrjen. Ajo mbajti administratën amerikane dhe komunitetin ndërkombëtar “plotësisht përgjegjës” për bastisjet.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.

Që atëherë, mbi 32 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe afër 74.300 të tjerë janë plagosur.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, argumenton se “nuk ka asnjë mënyrë për të mposhtur Hamasin pa hyrë në Rafah” në Rripin e Gazës jugore dhe këtë do ta bëjnë “me mbështetjen e SHBA-së, por nëse është e nevojshme edhe pa mbështetjen e SHBA-së”.