RajoniTop Lajme

Ambasadorët e BE-së mbështetën liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë

Shpërndaje

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së mbështetën miratimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë, të lëshuar nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper), përndryshe organi kryesor përgatitor i Këshillit të BE-së, u pajtua me propozimin e PE-së dhe Këshillit të BE-së për ndryshime në rregulloren për mbajtësit e pasaportave.

Kështu thuhet në një letër dërguar nga kryetari i Coreperit, Willem van de Voorde, kryetarit të Komitetit të PE për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE), Juan Fernando López Aguilar.

Në letër shtohet se nëse PE-ja miraton qëndrimin e saj në lexim të parë, Këshilli do të miratojë qëndrimin e PE-së dhe këto akte do të miratohen në një formulim që korrespondon me qëndrimin e PE, shkruan Euronews.rs, transmeton Klankosova.tv.

Më 9 prill, Komiteti i PE-së për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) miratoi draft-raportin për liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe nga Kosova të lëshuar nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë dhe të dorëzuar nga anëtari i PE-së për heqjen e atyre vizave, Matjazh Nemec.

Ky vendim siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të ketë të njëjtin regjim vizash për udhëtimin në BE, njoftoi në atë kohë PE-ja.

Pas votimit në LIBE, gjermani tha se ekziston mundësia që vendimi për liberalizimin e vizave për mbajtësit e këtyre pasaportave të zbatohet deri në fillim të verës dhe shtoi se do të vijojë që PE-ja ta konfirmojë këtë vendim deri në fund të prillit, në seancën plenare të PE-së në Strasburg.

Seanca e fundit plenare e PE-së duhet të mbahet nga 22 deri më 25 prill në Strasburg dhe më pas ministrat në Këshillin e BE-së duhet ta votojnë këtë vendim.