Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë i Universitetit të Tetovës e shënoi Ditën Botërore të Tokës
Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë i Universitetit të Tetovës përmes ligjëratës: “Ruaj bletë, shpëto planetin”, sot e shënoi Ditën Botërore të Tokës. Në këtë aktivitet morën pjesë maturantë nga shkollat e mesme të rajonit të Pollogut, studentë, profesorë dhe bletarë. Dita Botërore e Tokës është ngjarje vjetore që festohet në të gjithë botën më 22 prill për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet mjedisore dhe për të promovuar përpjekjet për qëndrueshmëri dhe mbrojtjen e planetit tonë.
Të pranishmëve me fjalë rasti fillimisht iu drejtua prodekania për shkencë e Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, Doc. Dr. Zejnedije Ademi-Latifi. Ajo u shpreh se Dita e Tokës mbart në vete një mesazh të rëndësishëm për përgjegjësinë që njerëzimi të kujdeset për ekosistemet dhe të ndërmarrë veprime për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për veten dhe brezat e ardhshëm. “Tema zyrtare për vitin 2024 është: “Planet vs. Plastics – Planeti kundrejt plastikës”.Tema synon të rrisë ndërgjegjësimin për ndotjen plastike, të reduktojë konsumin e saj për një përdorim dhe të investojë në teknologji që reduktojnë përdorimin e plastikës, e gjitha kjo, për hir të shëndetit njerëzor dhe planetar, duke kërkuar një reduktim prej 60 % të prodhimit të plastikës deri në vitin 2040. Për ta thënë thjesht, Dita e Tokës është krijuar për të nxjerrë në pah nevojën serioze për të mbështetur mjedisin tonë, ndërsa ai lufton me një sërë sfidash, të shkaktuara nga njerëzit. Çështjet mjedisore si ngrohja globale, ndotja plastike dhe varfërimi i resurseve të tokës, të gjithëve na shkaktojnë një ankth ekologjik.” – nënvizoi prodekania për shkencë e Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, Doc. Dr. Zejnedije Ademi-Latifi.
Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, Prof. Dr. Bardhyl Limani theksoi se qëllimi i këtij manifestimi është që të krijojë mjedis pune stimulues për stafin, studiuesit, studentët, që të ndihemi të lirë të ndajmë ide, të diskutojmë mundësitë, sfidat, praktikat dhe pyetje nga më të ndryshmet. “Me anë të këtij manifestimi, dhe shumë të tjerëve që besoj do t’i realizojmë në të ardhmen, shpresojmë që të inkurajojmë ngritjen e Fakultetit tonë, vetëfuqizimin e studentëve, motivimin e maturantëve për studiuar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, me qëllim që të kontribuojmë në zhvillimin e bujqësisë – shkencës së kultivimit të tokës, prodhimtarisë bimore dhe asaj shtazore.” – tha mes tjerash dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, Prof. Dr. Bardhyl Limani.
Në vijim të këtij aktiviteti, profesori i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, Doc. Dr. Nesim Seferi prezantoi temën: “Rëndësia e bletës në ruajtjen e planetit” me ç’rast u nxorën konkluzat: Pjalmuesit, veçanërisht bletët mjaltëdhënëse, luajnë një rol kyç në mjedis, ushqim dhe prodhimin e farave dhe mjaltit; Ndryshimet klimatike mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në sjelljet dhe fenologjinë e bletëve mjaltëdhënëse; Kërcënimi i industrisë sonë bujqësore drejt një krize globale është në një të ardhme të afërt; Ekziston mundësia e përshtatjes evolucionare në bletë kundrejt ndryshimeve të mjedisit; Përdorimi më i paktë i pesticideve kimike sintetike, zvogëlon rrezikshmërinë mbi shëndetin e pjellës së bletëve dhe mbijetesës së tyre; Nëse e dimë rëndësinë e jetës së qëndrueshme, efektin mbi njerëzimin, punojmë mbi strategjitë dhe qasjet, përmirësojmë njohuritë dhe aftësitë e njerëzve, atëherë mund të arrihen masa për të përballuar kushtet ekstreme për mbijetesën e bletës dhe planetit Tokë.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti, pjesëmarrësit kishin mundësi të ndjekin një demonstrim praktik në parkun e Universitetit, të udhëhequr nga agro-inxhinieri Nusmir Ramadani, njëherit dhe ish-student i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë dhe bletar i njohur i këtyre trevave. Ai e sqaroi mënyrën e kultivimit të shoqërive të bletëve dhe trajtimin organik të tyre.