Bota

GJND, filluan seancat dëgjimore në rastin ku Gjermania akuzohet se ndihmon gjenocidin e Izraelit

Shpërndaje

Delegacioni ligjor i Nikaraguas, në ditën e parë të dëgjimit të çështjes së ngritur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) që nga Gjermania të ndërpresë mbështetjen e saj ushtarake ndaj Izraelit, akuzoi qeverinë e Berlinit se vazhdon të furnizojë me armë Izraelin, pavarësisht se e dinte rrezikun e gjenocidit në Gaza, raporton Anadolu.

Në Hagë filluan seancat që do zgjasin për dy ditë për çështjen që Nikaragua ka ngritur kundër Gjermanisë në GJND me arsyetimin se ajo “ka mbështetur gjenocidin e Izraelit në Gaza” duke siguruar mbështetje politike, financiare dhe ushtarake për veprimet e Izraelit në Gaza.

Fjalimi i hapjes së Nikaraguas u mbajt nga ambasadori i saj në Hagë, Carlos Jose Argüello Gomez.

Gjyqtari i përkohshëm i emëruari nga Nikaragua posaçërisht për këtë çështje, ish-kryeministri jordanez dhe ish-gjyqtari dhe zv/presidenti i GJND-së, Awn Shawkat Al-Khasawneh, bëri betimin e detyrës.

Në seancat e mbajtura publike po diskutohen kërkesat e Nikaraguas për të vendosur masa të përkohshme nga gjykata kundër Gjermanisë, me qëllim që të mos ndodhin dëme të pariparueshme deri në procesin e përfundimit të çështjes.

-“Detyrimi për të parandaluar gjenocidin lind kur bëhet e qartë se po kryhet gjenocid”

Ambasadori i Nikaraguas në Hagë, Argüello Gomez, në prezantimin e tij në seancën dëgjimore tha se përveç shkeljes së shumë rregullave të së drejtës ndërkombëtare, në Gaza është kryer gjenocid dhe se kjo është kryer para syve të njerëzve në rrjetet sociale.

Ai akuzoi Izraelin për testimin e produkteve të industrisë së armëve mbi palestinezët, veçanërisht tek ata që jetojnë në Gaza.

Duke deklaruar se Gjermania, e cila e sheh sigurinë e Izraelit si arsyen e saj të ekzistencës, ka detyrimin të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të mos mbështesë gjenocidin, Argüello Gomez akuzoi Gjermaninë se pavarësisht kësaj ka lehtësuar gjenocidin në Gaza duke dërguar armë në Izrael.

Argüello Gomez vlerësoi se në Palestinë janë përjetuar shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, përfshirë gjenocidin.

“Rasti para nesh përfshin ngjarje të rëndësishme në lidhje me jetën dhe mirëqenien e qindra mijëra njerëzve dhe madje edhe eliminimin e një populli të tërë”, tha ai.

Duke thënë se qeveria dhe populli i Nikaraguas kanë simpati të veçantë për popullin palestinez për shkak të luftës së tyre që kanë treguar kundër ndërhyrjes ushtarake, Argüello Gomez kujtoi se edhe Nikaragua është përballur me ndërhyrje dhe sulme ushtarake.

“Në situatën aktuale, Nikaragua po vepron jo vetëm në emër të saj, por edhe në emër të popullit palestinez që i është nënshtruar një prej veprimeve ushtarake më shkatërruese në historinë moderne”, tha Arguello Gomez.

Ambasadori Argüello Gomez theksoi se Gjermania ka detyrimin të ndalojë së ndihmuari Izraelin në luftën e tij në Gaza, pas vendimit të GJND-së më 26 janar se Izraeli mund të ketë kryer krimin e gjenocidit në Gaza.

“Detyrimi për të parandaluar gjenocidin lind kur bëhet e qartë se po kryhet gjenocid”, deklaroi Arguello Gomez i cili tërhoqi vëmendjen se Gjermania vazhdon të sigurojë ndihmë ushtarake për Izraelin edhe sot e kësaj dite.