Kurti bën nderime të memoriali ”Heroinat” në Prishtinë, kërkon më shumë mbështetje e angazhim për drejtësi
Në shënim të Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri nderime te memoriali “Heroinat”, në Prishtinë.
Kryeministri Kurti tha se viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, gra e vajza, por edhe djem e burra, kanë paguar një çmim të lartë fizik, psikik, emocional për shtetin e për lirinë tonë.
Teksa shprehu zotimin se institucionet e shtetit janë në krye të detyrës për ta mbrojtur këtë kategori, njëkohësisht bëri thirrje edhe tek qytetarët për mbështetjen e tyre, pasi që 25 vite stigmatizimi ndaj tyre nuk ka munguar.
Së bashku me znj.Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj.Shyrete Tahiri Sulimani, Kryeministri bëri thirrje për më shumë mbështetje shoqërore e angazhim për drejtësi.
“Vasfija e Shyretja janë shembuj për mbarë shoqërinë edhe kombin tonë, të thyerjes së heshtjes për një krim monstruoz, i cili ishte armë e luftës, në kuadër të projektit gjenocidal të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës’’, u shpreh ai.
‘’Janë mbi 20 mijë gra e vajza, burra e djem, të cilët janë përdhunuar gjatë luftës dhe është pjesë e gjenocidit që kemi përjetuar nga Serbia’’ u shpreh ai, teksa shprehu përulje e mirënjohje për qendresën, ndaj Marte Tunaj dhe të gjitha viktimave të dhunës seksuale që nuk rrojnë më.
Nderime bënë edhe Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, Leonora Selmani, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës e anëtarë të kabinetit qeveritar.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Jemi këtu në këtë ditë memoriale për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, gra e vajza, por edhe djem e burra, rreth 20 mijë gjithsej. Të gjithë kanë paguar një çmim të lartë fizik, psikik, emocional për shtetin e për lirinë tonë. Adaj siç bënë thirrje edhe Vasfija e Shyhretja, ne nuk i harrojmë kurrë, por gjithashtu angazhohemi e bëjmë thirrje për drejtësi.
Vasfija e Shyhretja janë shembuj për mbarë shoqërinë edhe kombin tonë, të thyerjes së heshtjes për një krim monstruoz, i cili ishte armë e luftës, në kuadër të projektit gjenocidal të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës.
Ministria e Drejtësisë, Qeveria jonë, unë si kryeministër, Kuvendi i Republikës, Presidentja, mekanizmat e institucionet e shtetit janë në krye të detyrës, në mënyrë që kësaj kategorie t’i ndihmojmë dhe ta mbështesim me krejt çka mundemi e dimë. Por njëkohësisht i bëjmë ftesë edhe qytetarëve, i bëjmë thirrje gjithë njerëzve në Kosovë që ta mbështesim këtë kategori, e cila e ka edhe siç thuhet ‘kripën në plagë’ për shkak të stigmatizimit që i ka ndodhur gjatë këtyre 25 viteve.
Thua se krimi që bëri Serbia nuk mjaftonte, pasoi stigmatizimi ndaj këtyre personave, të mbijetuar të dhunës seksuale. Andaj ne iu bëjmë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë kundër stigmatizimit dhe që të gjitha ata, të cilët e kanë pësuar, që janë po ashtu viktima të marrin shembullin e Shyrete Tahiri Sulimanit, të marrin shembullin e Vasfije Krasniqi Goodman, të marrin shembullin e Marte Tunaj, e cila nuk rron më, dhe e cila gjithashtu ka qenë viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës dhe ta thyejnë heshtjen. Sepse çfarë iu ka ndodhur këtyre personave nuk u ka ndodh për shkak të emrave të tyre të veçantë apo karakteristikave individuale, por për shkak se ishin shqiptarë, dëshironin të jetonin në tokën e tyre, të lirë.
Institucionet do të mbështesin, por njëkohësisht edhe ne, jo vetëm si zyrtarë, por si qytetarë si shoqëri duhet ta luftojmë vazhdimisht stigmatizimin dhe të bëjmë thirrje për drejtësi, që natyrisht e ka në krye të përgjegjësisë Prokurorinë e Shtetit dhe gjyqësorin.
Janë mbi 20 mijë gra e vajza, burra e djem, të cilët janë përdhunuar gjatë luftës dhe është pjesë e gjenocidit që kemi përjetuar nga Serbia.
Marte Tunaj dhe të gjithë atyre grave, që kanë qenë të përdhunuara e që pas 25 viteve nuk rrojnë më, ato kanë mirënjohjen tonë, dhe përuljen tonë, për dhembjen e për qëndresën e tyre.
LAJMI I PLOTË: Kryeministri Kurti bën nderime të memoriali ‘’Heroinat’’ në Prishtinë