Kurti: E pamundur të flasësh për historinë e Kosovës pa diasporën
Akademia Diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka hapur edicionin e parë të Shkollës për Diplomaci të Diasporës.
Mirëpritjes së gjeneratës së parë të Shkollës për Diplomaci të Diasporës iu bashkua Kryeministri i vendit, Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Zëvendësministrja Liza Gashi si dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet vendore e ndërkombëtare.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Kurti derisa ka vlerësuar rolin e diasporës në zhvillimin e vendit dhe diplomacinë e shtetit, ai theksoi se është e pamundur të flasësh për historinë e vendit tonë pa përfshirë dhe diasporën. “Në shumë mënyra, diaspora jonë përfaqëson një tejzgjatje të natyrshme të komuniteteve tona përreth botës. Është një diasporë e lidhur shumë me vendlindjen e tyre” tha kryeministri Kurti.
Sipas Kryeministrit Kurti, synimi i kësaj Shkolle është që të nxjerrë në dritë më shumë njohuri se si ne të gjithë mund të përmirësojmë angazhimin e diasporës, si në kontekstin e zhvillimit të vendeve tona përkatëse, ashtu edhe për të eksploruar dhe shqyrtuar risitë se si mund të funksionojë angazhimi i diasporës në forcimin e lidhjeve mes vendeve tona.
Nga ana tjetër, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë kësaj ceremonie theksoi se nga këtu fillon një rrugëtim i rëndësishëm për Kosovën për vitet e ardhshme për të treguar rëndësinë që luan diaspora në diplomaci. “Rëndësia e kësaj shkolle qëndron tek roli i saj si një platformë bashkëpunuese në të cilën integrojmë pjesë të diasporës”. Ministrja Gërvalla tha se pjesëmarrësit e kësaj shkolle do të kenë mundësi të ndajnë përvojat e tyre duke na lidhur dhe përafruar me tema të ndryshme nga mbarë bota, duke eksploruar se si mund të rrisim fuqinë e diasporës për marrëdhënie më të mira diplomatike dhe zhvillim kombëtar.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi prezantoi qëllimin dhe programin e shkollës. Ajo tha se programi i Shkollës për Diplomaci të Diasporës është hartuar me qëllim të kultivimit dhe mbështetjes së krijimit të një rrjeti global të diplomatëve të karrierës, si dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre në fushën e diplomacisë së diasporës, si një tematikë që ka filluar të marrë më shumë vëmendje në politikat qendrore në mbarë botën.
Në mbyllje të ceremonisë, para të pranishmëve fjalë rasti ka mbajtur edhe Martin Russell, Drejtor Ekzekutiv i Global Diaspora Insights, i cili e ka vlerësuar si iniciativë shumë të rëndësishme Shkollën për Diplomaci të Diasporës derisa ka thënë se roli që luan diplomacia e diasporës ka një impakt shumë të rëndësishëm për shtetin që ka filluar të marrë më shumë vëmendje në politikat qendrore në mbarë botën.
Diplomatë prej më shumë se 30 shtete të botës iu bashkuan edicionit të sivjetmë të organizuar nga Akademia Diplomatike. Programi i Shkollës për Diplomaci të Diasporës i cili do të zhvillohet përgjatë dy ditëve, është hartuar me qëllim të kultivimit dhe mbështetjes së krijimit të një rrjeti global të diplomatëve të karrierës, si dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre në fushën e diplomacisë së diasporës.