Kurti homazhe në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, thotë se Serbia ende nuk i hap arkivat
Në përkujtim të masakrës në Paklek të Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule të freskëta. Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kryeministri përkujtoi 54 civilët shqiptarë, të vrarë mizorisht nga gjenocidi i Ushtrisë së Serbisë.
Gjatë këtyre homazheve, Kryeministri Kurti, u shpreh se kjo masakër brutale nuk fshihet nga kujtesa e popullit shqiptar. Ai tha se kjo paraqet plagë të hapur e që kullon, meqenëse ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera nga Serbia.
“Gjaku i derdhur, e kufomat të bëra hi, të cilat nuk kanë mundur të ndahen për t’u varrosur në mënyrë të dinjitetshme ndaras por është dashur që të bëhen bashkërisht, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës”, tha kryeministri. Ai shtoi se fakti qe pasi që i kanë vrarë, i kanë grumbulluar e i kanë djegur në përpjekje për ta zhdukur gjurmën e krimit, tregon se sa fajtor janë ata kriminelë.
Kryeministri Kurti, ritheksoi se gjatë vitit të kaluar, më 1 qershor, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka dërguar letër presidentit të Serbisë që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave. E njëjta kërkesë i është dërguar edhe zëvendës presidentit të Komisionit Evropian, përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, por që ende nuk ka ndonjë përgjigje në lidhje me domosdoshmërinë e hapjes së arkivës.
Pas homazheve dhe vendosjes së luleve tek varrezat e të vrarëve, kryeministri Kurti, vizitoi edhe shtëpinë muze të familjes Muqolli, në të cilën janë vrarë dhe djegur civilë shqiptarë të pambrojtur, të paarmatosur.
Në Kompleksin Përkujtimor në këtë fshat, prehen eshtrat e 54 civilëve në një varrezë të përbashkët, të cilët janë vrarë, djegur, e masakruar nga forcat armike serbe, të cilët nuk kursyen as foshnjat 6 muajshe deri tek pleqtë të moshës 75 vjeçare. 25 prej të vrarëve ishin nën moshën 18 vjeçare. 18 persona prej tyre kanë qenë fëmijë, më të vegjël se 12 vjeç. Në mesin e tyre pesë foshnje prej gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Lirie Muqolli ishte vetëm gjashtë muajshe atë kohë.
Në këto homazhe kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Sot janë bërë 25 vjet nga masakra e Paklekut këtu në Drenicë kur u patën vrarë mizorisht 54 shqiptarë. Leutrimi ka qenë 9 vjeçar, është i mbijetuari i asaj masakre, ndërkaq në këta 54 veta që u vranë, që ishin civilë të pambrojtur, të paarmatosur, ishin 25 të mitur, fëmijë, ndërkaq 18 prej tyre ishin nën moshën 12 vjeçare. Pra, prej 54 vetave 25 ishin më të rinj se 18 vjeç, ndërkaq 18 prej tyre ishin edhe më të rinj se 12 vjeç.
Pasi që i kanë vrarë, i kanë grumbulluar e i kanë djegur në përpjekje për ta zhdukur gjurmën e krimit dhe tregon se sa fajtorë janë ata kriminelë për këtë masakër brutale, e cila nuk shlyhet nga kujtesa jonë, nuk harrohet nga populli ynë dhe, që paraqet plagë të hapur e që kullon, meqenëse ende nuk ka drejtësi.
Në Paklek 54 u vranë atë ditë, para 25 vjetëve. Nëntë ende rezultojnë të pagjetur. 1597 janë ende të pagjetur nga lufta e fundit, 9 prej të cilëve janë nga Pakleku. Me këtë rast duhet theksuar që përgjegjësinë për këto vrasje në Drenicë, përfshirë Paklekun e ka brigada e motorizuar 37 e ushtrisë jugosllave.
Andaj, edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Andin Hoti, i cili është djali i profesor Ukshin Hotit, ka dërguar letër në vitin e kaluar, më datën 1 qershor presidentit të Serbisë që të hapet dosja, të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, e më pastaj më datën 1 shtator ia ka përsëritur këtë kërkesë edhe zëvendës presidentit të Komisionit Evropian, përfaqësuesit të lartë për Politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell por ende nuk kemi përgjigje lidhur me domosdoshmërinë e hapjes së arkives. Ndonëse kemi bërë marrëveshje në Bruksel për çështjen e të pagjeturve ende nuk po hapen arkivat, dosjet e krimeve mbi shqiptarë të cilat mbahen të mbyllura në Beograd. Në veçanti për masakrat në Drenicë është e domosdoshme të hapet arkiva, dosja e mbyllur atje e brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave.
Ky gjak i derdhur, këto kufoma të bëra hi që nuk kanë mundur të ndahen për t’u varrosur në mënyrë të dinjitetshme ndaras, por është dashur që të bëhen bashkërisht, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës, por njëkohësisht ato janë edhe thirrje për drejtësi. E vërteta dihet, drejtësia duhet të zbatohet, ashtu që të mund të kemi paqe si popull e të prehen të qetë viktimat.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit dhe martirëve këtu në Paklek dhe gjithandej Kosovës së shumëvuajtur.