RajoniTop Lajme

Kurti kujton dëshmorët e rënë në Polac: Është obligim moral që mos të lejojmë kurrë që e vërteta të zbehet në harresë

Shpërndaje

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar dëshmorët dhe martirët e rënë për liri në Polac.

Ai ka vizituar familjen e Nurije Kabashi Vojvoda në Skenderaj, ku forcat serbe ia kanë vrarë disa anëtarë të familjes.

“Pas aterimit në aeroportin “Adem Jashari”, u nisa për në Polac, për të shprehur nderimin më të thellë ndaj martirëve dhe dëshmorëve të rënë për liri. Pas homazheve në Kompleksin Memorial të martirëve në Polac, vizituam familjen e zonjës Nurije Kabashi Vojvoda, në Lagjen 3 të Skenderaj”, thotë Kurti.

Tutje, ai ka shkruar se më 7 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë, zonjës Nurije ia kanë vrarë të atin, Emin Kabashi 59 vjeç, dhe dy vëllëzërit, Islamin, 21 vjeç dhe Nehatin, 17 vjeç.

“Po ashtu, Nurijes ia kanë vrarë pak ditë më herët, më 4 prill 1999, edhe vajzën e axhës, Kumrije Kabashi, 24 vjeçare. Një ditë para se të mbushte 25 vjet. 25 vite pas, ne ishim në Polac për të kujtuar sakrificat për liri dhe betejën e vazhdueshme për drejtësi”, ka theksuar kryeministri.

Në postimin e bërë në Facebook, Kurti u shpreh se “përkujtimi i viktimave dhe dëshmorëve nuk është vetëm obligim moral, por edhe institucional, që të mos lejojmë kurrë që e vërteta të zbehet në harresë”.

“Kujtimi i tyre na udhëzon e frymëzon për të ardhmen, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të mirë për të gjithë. Lavdi për ata që dhanë jetën e tyre për çlirim e liri”.